Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi mes KGJK-së dhe Akademisë së Drejtësisë

Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi mes KGJK-së dhe Akademisë së Drejtësisë

Prishtinë, 15.07.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për përmbushjen e përgjegjësive që dalin nga Strategjia për Sundim të Ligjit ndërmjet dy institucioneve.

Qëllimi i këtij Memorandumi është që të përcaktoj kushtet, fushëveprimin e punës dhe përgjegjësitë e palëve: në sferën e hartimit të programeve të trajnimit për anëtarët e komisioneve të vlerësimit të performancës të gjyqtarëve, për trajnimin e anëtarëve të komisioneve për rekrutimin e gjyqtarëve, trajnimet e detyrueshme që dalin si rezultat i mangësisë gjatë vlerësimit të performancës së gjyqtarëve, trajnimet e zyrtarëve të Njësisë së verifikimit të KGJK-së, përkthyesve-intepretëve të gjykatave, për vlerësimin e ndikimit të trajnimeve dhe garantimin e mekanizmave për koordinim në trajnimin e gjyqtarëve si dhe ndërlidhjen e data-bazave, shkëmbimin e informatave në mes KGJK-së dhe AD.

Kryesuesi Zogaj, ka thënë me këtë rast se ky memorandum do të fokusohet në shkëmbimin e informatave të ndërsjella për zbatimin e aktiviteteve për vlerësimin e nevojave, përcaktimin e politikave, zbatimin e programit dhe shkëmbimin e të dhënave lidhur me trajnimet. “Në këtë aspekt, KGJK do të angazhohet në mënyrë proaktive për të përcaktuar standardet e koordinimit dhe ndërlidhjen e data-bazave për të mundësuar shkëmbimin e informatave në mes të KGJK-së dhe AD”, ka thënë Zogaj.

Nga ana tjetër, Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Fejzullahu, ka thënë se institucioni që udhëheq ai do të angazhohet për të bërë zbatimin e trajnimeve për sistemin gjyqësor, në mënyrë që të bëhet ngritja e nevojshme e kapaciteteve të sistemit gjyqësor.
Këshilli Gjyqësor dhe Akademia e Drejtësisë do të bëjnë në vazhdimësi shkëmbimin e informatave lidhur me të dhënat për pjesëmarrjen në trajnime dhe programe të tjera.