KGJK ka vazhduar takimin e 291-të

KGJK ka vazhduar takimin e 291-të

Prishtinë, 15.07.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar takimin e 291-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar edhe pikat e tjera, sipas rendit të ditës.

Në vazhdim të këtij takimi, Këshilli ka zgjedhur anëtare të Komisionit për Trajnime, Andrijana Miletiq, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me mandat tre (3) vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhje deri në përfundim të mandatit si anëtare e Këshillit.

Këshilli Gjyqësor në këtë mbledhje, mori vendim për shpalljen e konkursit publik për rekrutimin e tridhjetë e shtatë (37) pozitave të gjyqtarëve në nivel të gjykatave themelore, prej të cilave shtatë (7) pozita të gjyqtarëve janë të rezervuara për komunitetin serb. KGJK gjithashtu, themeloi edhe Komisionin për Rekrutim të Gjyqtarëve në gjykatat themelore, si dhe Komisionit për Rishqyrtim të ankesave të gjyqtarëve në gjykatat themelore.
Në takimin e sotëm, Këshilli mori vendim për shpalljen e konkursit të brendshëm për pesë (5) pozita të lira për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, prej të cilave një (1) pozitë është e rezervuar për komunitetit serb, me ç’rast themeloi edhe Panelin për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve për ngritje në detyrë si dhe Komisionin për Rishqyrtimin e ankesave për gjyqtarë në Gjykatë e Apelit.

KGJK propozoi tek Presidentja e Republikës së Kosovës, z.Shaban Zeqiraj, gjyqtar në Gjykatën Themelore Prizren – dega Suharekë, për lirim nga detyra e gjyqtarit, për shkak të përfundimit të mandatit, me arritjen e moshës së pensionimit më 15 gusht 2022.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura, për themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/14/2022/GJS-GJS-2022-011, si dhe diskutim lidhur me shqyrtimin e raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura për rastin NR.AD/KGJK/10/2022/GJTHPR-AD/GHTHPR/14/22.