Fillon trajnimi fillestar për gjyqtarët e rinj

Fillon trajnimi fillestar për gjyqtarët e rinj

Prishtinë, 15.07.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i shoqëruar nga anëtari i Këshillit, kryetar i Komisionit për Trajnime, Vilard Bytyqi, morën pjesë në ceremoninë e fillimit të trajnimit fillestar për gjyqtarët e rinj të organizuar nga Akademia e Drejtësisë.

Drejtori i Akademisë, z. Enver Fejzullahu si nikoqir i kësaj ceremonie, i uroj fillim të mbarë gjyqtarëve të rinj dhe njëkohësisht u uroj mirëseardhje edhe mysafirëve të kësaj ceremonie.
Kryesuesi Zogaj, duke i’u uruar fillim të mbarë gjyqtarëve të rinj, theksoi edhe rolin e rëndësishëm që gjyqtarët kanë mbi vete si dhe sfidat që i presin ata në punën e tyre.

“Rruga që sot po filloni mund të duket e vështirë, por do të jetë nder për ju që përmes punës tuaj të shërbeni për gjyqësorin e vendit tonë, prandaj ju duhet të ndiheni krenar dhe të punoni me përkushtim dhe angazhim maksimal duke përmbushur synimet tona për një gjyqësorë të pavarur dhe llogaridhënës, të paanshëm dhe transparent, efikas dhe të besueshëm”, tha Zogaj.

Janë gjithsejtë, dyzet e tetë (48) gjyqtarë të rinj të dekretuar më datë 8 korrik 2022, të cilët sot do të fillojnë trajnimin fillestar 12 mujor teorik dhe praktik në Akademinë e Drejtësisë.