Mbahet ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për përkthyesit gjyqësorë të certifikuar

Mbahet ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për përkthyesit gjyqësorë të certifikuar

Prishtinë, 14.07.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka organizuar sot ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për përkthyesit gjyqësorë të certifikuar.

Kryesuesi i KGJK, Albert Zogaj, para të pranishmëve e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm këtë proces për sistemin gjyqësor, si mjaft profesional, objektiv dhe transparent me pjesëmarrjen e monitoruesve ndërkombëtarë, me ç’rast i falenderoi për mbështetjen e ofruar Këshillit Gjyqësor dhe kontributin e tyre të dhënë në këtë proces si dhe në shërbimet e përkthimit në përgjithësi.

‘’Certifikimi i përkthyesve është jetik për një sistem të mirëfilltë ligjor, pa komunikim të qartë ndërmjet gjyqtarëve, avokatëve dhe palëve, drejtësia mund të mos vihet në vend. Prandaj, rëndësia e këtij certifikimi garanton cilësinë e shërbimit në sistemin gjyqësor, me këtë certifikim hapim rrugën edhe për përkthyes të rinj të cilët do ta rrisin cilësinë e përkthimit dhe interpretimit në gjuhë të ndryshme. Tani do ta kemi një listë të re të përditësuar të përkthyesve gjyqësor ku do të pajisen të gjitha gjykatat’’ – tha në mes tjerash kryesuesi Zogaj.
Ndërsa, Udhëheqësi i Projektit EUKOJUST, Volkmar Theobald, e përgëzoi KGJK-në për organizimin e konkurseve për certifikim, përkushtimin dhe mënyrën profesionale të trajtimit të tij, si dhe shprehu gatishmërinë për ta mbështetur Këshillin edhe në të ardhmen për përmirësimi i cilësisë së përkthimeve, përfshirë gjuhët zyrtare të komuniteteve jo-shumicë.
‘’Përdorimi i duhur dhe i saktë i gjuhëve zyrtare në sistemin gjyqësor në Kosovë ka rëndësi qenësore për të garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë dhe qasje në drejtësi për të gjithë. Roli i një përkthyesi është një rol i rëndësishëm dhe kyç në qasjen në drejtësi’’- theksoi mes tjerash Theobald.

Komisioneri për Gjuhë, Slavisa Mladenovic, tha se janë bërë disa hapa pozitiv në ofrimin e shërbimeve të përkthimeve nëpër gjykata, ku përkthyesit janë pajisur me pajisje elektronike më të avancuara për përkthim, është rritur numri i përkthyesve dhe janë ofruar trajnime për përkthyes. Prandaj, besoj se edhe ky certifikim i përkthyesve do të rrit edhe më tej besimin e publikut, duke iu ofruar qytetarëve qasje më korrekte në proceset e përkthyera gjyqësore.

Kandidatë të cilët e kanë kaluar provimin si përkthyes gjyqësorë për çiftin e gjuhëve: shqip-serbisht janë gjithsejtë: shtatëdhjetë e tetë (78), ndërsa kandidatë të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim për çiftin e gjuhëve shqip-anglisht dhe anasjelltas janë gjithsejtë: njëqind e katër (104).