Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunimi ndërinstitucional

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunimi ndërinstitucional

Prishtinë, 12.07.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nënshkruan sot Memorandum Mirëkuptimi me qëllim të ndihmës së ndërsjellët për përshpejtimin e proceseve të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Nazmi Mikullovci, të cilët duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve theksuan se, me Memorandumin e nënshkruar do të shtohet efikasiteti në shqyrtimin e lëndëve për përmbylljen e procesit të likuidimit të ndërmarrjeve nga ana e Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është përcaktimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit me synim efikasitetin, transparencën dhe ekonomizimin e procedurave, të cilat parashihet të arrihet me angazhimin e disa ofruesve të shërbimeve-juristëve të diplomuar, në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, lidhur me çështjet administrative në procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.

KGJK dhe AKP shprehën gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit të mëtejmë ndërinstitucional, me qëllim të arritjes së objektivave të përbashkëta që është adresimi me kohë i lëndëve pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.