Mbahet takimi i 290-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 290-të i KGJK-së

Prishtinë, 7 korrik 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 290-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me themelimin e grupit punues për hartimin e akteve të nevojshme normative për zbatimin e projektit të audio-video incizimit që mbështetet nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), i cili vlerësohet si një nga projektet më të mëdha për sistemin gjyqësor dhe do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve të gjykatave.

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, tha se KGJK do të vlerësojë se cilat akte normative janë të nevojshme të hartohen, me qëllim që ky projekt të ketë mbështetjen e plotë gjatë realizimit të tij.

Në vazhdim, Drejtori i Departamentit Ligjor në Sekretariatin e KGJK-së, Astrit Hoti, ka raportuar lidhur me implementimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021 – 2026, më konkretisht për realizimin e aktiviteteve të realizuara deri më tani dhe të planifikuara sipas Planit të Veprimit. Drejtori Hoti tha se KGJK përkundër faktit që ka numër të madh të aktiviteteve në këtë plan, raporti gjashtë (6) mujor tregon se KGJK është me numrin më të madh të aktiviteteve të implementuara, falë punës së përbashkët të KGJK-së me komisionet e saj dhe departamentet/njësitë e SKGJK-së.

“Mund të konstatoj se është bërë një punë e jashtëzakonshme deri më tani, mirëpo zbatimi i Strategjisë duhet të përcjellët edhe në pjesën tjetër të vitit me aktivitetet e ardhshme, në mënyrë që përqindja e përmbushjes së strategjisë në fjalë të jetë e përmbushur”, tha Kryesuesi Zogaj.

Komisioni Ad – Hoc për Auditimin e Statistikave, ka prezantuar para anëtarëve të KGJK-së raportin lidhur me auditimin e të dhënave statistikore dhe krahasimin e të dhënave të punës së gjyqtarëve, për periudhën e vlerësimit 2018 – 2020, me të dhënat e ofruara nga Departamenti i Statistikave në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me ç’rast anëtarët aprovuan vazhdimin e mandatit të këtij komisioni deri në përpunimin e plotë të raportit për konfirmim përfundimtar.

Këshilli aprovoi transferin e stafit mbështetës në Departamentin Special në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore Prishtinë, me ç’rast autorizuan Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë që zyrtarët përkatës të transferohen për të punuar me gjyqtarët e Departamentit Special.

Grupi punues për shqyrtimin e çështjeve të ngritura në kuadër të procesit të konsolidimit të Sistemit Qendror për Evidence Penale, ka prezantuar raportin përmbledhës me rekomandime përkatëse në lidhje me evidencën penale, i cili do t’i përcjellët Gjykatës Supreme.

Anëtarët autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e Memorandumit të mirëkuptimit në mes të KGJK-së dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe Memorandumit të mirëkuptimit në mes të KGJK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Këshilli refuzoi kërkesën e Lindita Jakupi, gjyqtare në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për mbështetjen institucionale për vazhdimin e studimeve të Doktoratës Wake Forest University – North Carolina në SHBA me pagesë, për një (1) vit.

Anëtarët e Këshillit aprovuan vendimin e Gjykatës së Apelit AGJ.nr.425/2022 për plotësimin dhe ndryshimin e Planit Vjetor të punëve të gjyqtarëve dhe administratës së Gjykatës së Apelit.

Këshilli autorizoi SKGJK-në për fillimin e procedurave të kompensimit të zyrtarëve të angazhuar nga UNDP për arkivimin dhe asgjësimin e lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj për dy (2) muaj deri në vazhdimin e kompensimit nga fondet e UNDP-së, me qëllim të mos ndërprerjes së kontratave të punës të zyrtarëve në fjalë, për këtë proces shumë të nevojshëm për gjykatat.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me katër (4) pika të mbyllura për shqyrtimin e rastit me Nr.189/2019, shqyrtimin e raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/04/2022/ GJTHPR-AD/GJTHPR/46/2021, shqyrtimin e raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura ne rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/22 si dhe themelimi i panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/13/2022/GJTHGJA-AD/GJTHGJA.nr.017/2.

Në fund të këtij takimi, Këshilli i propozoj Presidentës së Republikës së Kosovës, shkarkimin nga detyra për gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega Skenderaj, R. I.