Mbahet takimi fillestar për implementimin e Projektit të Audio Incizimit për sallat e gjykatave

Mbahet takimi fillestar për implementimin e Projektit të Audio Incizimit për sallat e gjykatave

Prishtinë, 6 korrik 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj së priti sot në takim Drejtorin e Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), Shawn Waddoups, si dhe përfaqësues të tjerë nga INL.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe: Zëvendës Kryesuesi i KGJK-së, Qerim Ademaj, Kryetarja e Komisionit për Çështje Normative, Drita Rexhaj, Drejtori i Përgjithshëm i SKGJK-së, Shkelzen Maliqi, udhëheqës të departamenteve të KGJK-së, përfaqësues nga Shërbimi Korrektues i Kosovës si dhe përfaqësues nga Kompanitë Asseco SEE dhe AVC Group.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth kompanisë fituese të tenderit për Projektin e Audio Incizimit dhe sistemet e video konferencave për sallat e gjykatave të vendit, i cili po mbështetet nga INL dhe do të implementohet nga Kompania Asseco SEE dhe kompania sllovene TSE d.o.o, e cila është pjesë e grupacionit AVC Group dhe njëherit bartëse e implementimit, në bashkëpunim me KGJK-në.

Gjatë këtij takimi, u diskutua rreth përgatitjeve të nevojshme për fillimin e implementimit të projektit, detajet teknike dhe trajnimet e nevojshme me qëllim që faza tetëmbëdhjetë (18) mujore për implementimin e projektit të jetë sa më e suksesshme.

Përmes këtij projekti, do të sigurohet audio dhe video i incizimi i seancave gjyqësore në të gjitha gjykatat, prandaj vlerësohet si një nga projektet më të mëdha për sistemin gjyqësor.

Kryesuesi Zogaj, ka falënderuar z.Waddoups për mbështetjen duke e siguruar për bashkë koordinim të vazhdueshëm me INL, me qëllim të implementimit të suksesshëm të projektit, i cili do të ndikoj në ngritjen e efikasitetit të punës në sistemin gjyqësor.

“Duke ju falënderuar për mbështetjen e INL, ju siguroj se do të keni mbështetjen e plotë nga ana e KGJK-së dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet dhe aktet e nevojshme me qëllim që ky projekt mos të ketë pengesa gjatë fazës implementuese”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

Nga ana tjetër, z.Waddoups dhe përfaqësuesit e INL, kanë falënderuar KGJK-në për bashkëpunimin e deritanishëm, në rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve të gjykatave për qytetarët e Republikës së Kosovës.