Kryesuesi Zogaj priti në takim gjyqtarët mbikëqyrës të gjykatave themelore

Kryesuesi Zogaj priti në takim gjyqtarët mbikëqyrës të gjykatave themelore

Prishtinë, 6 korrik 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj ka pritur në takim gjyqtarët mbikëqyrës të gjykatave themelore, për të diskutuar lidhur me funksionimin e degëve të gjykatave të vendit.

Kryesuesi Zogaj, diskutoi me gjyqtarët mbikëqyrës lidhur me implementimin e Strategjisë për sundimin e ligjit, zbatimin e planit të punës së KGJK-së, obligimet e degëve të gjykatave, Strategjinë për zvogëlimin e lëndëve, performancën e degëve të gjykatave, komunikimin në mes të institucioneve dhe gjykatave, organizimin e punës në përputhje me rregullat për SMIL-in dhe Sistemin Qendror të Evidencës Penale, gjendjen e arkivave, evidentimin e pasurisë si dhe gjendjen e administratës së degëve të gjykatave.

Në vijim të takimit, gjyqtari mbikëqyrës i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, Agron Maxhuni, ka prezantuar Planin Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në drejtësi 2022-2025, e cila ka për qëllim rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve, me theks të veçantë drejtësi efektive në të gjitha gjykatat duke zgjidhur lëndët në kohë të arsyeshme si dhe raportimin uniform për zbatim të këtij plani.

Po ashtu, Drejtori i Njësisë së Inspektimit Gjyqësor, Hydajet Hyseni, prezantoi të arriturat në regjistrimin e lëndëve të kundërvajtjes për asgjësim në degët e gjykatave. Kryesuesi Zogaj, ka ri theksuar përkrahjen e KGJK-së për degët e gjykatave, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies në degët e gjykatave.