Mbahet punëtoria për rishikimin e Rregullores për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve

Mbahet punëtoria për rishikimin e Rregullores për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve

Bogë,13-15 qershor 2022 – Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së, ka organizuar punëtorinë tre ditore me temën: “Rishikim, analizë dhe diskutim për Rregulloren nr. 01/2021, për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe Udhëzuesit për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe nevoja për ndryshimin, respektivisht plotësimin e tyre”.

Pjesë e kësaj punëtorie është eskpertja nga Kroacia, ish gjyqtarja, znj. Slavica Banic si dhe përfaqësues nga Misioni i OSBE-së.

Në këtë punëtori po diskutohet në detaje rregullorja në fjalë, me ç’rast Kryetarja e Komisionit, gjyqtarja Teuta Ibrahimi, tha se kjo punëtori do të ndikojë pozitivisht në implementimin dhe përmirësimin e procedurave të punës dhe si pasojë të vetë aktivitetit të Komisionit, në mënyrë që vlerësimi i gjyqtarëve të bëhet në pajtim me parimin e ligjshmërisë, objektivitetit, transparencës dhe barazisë, me qëllim që të garantohen mundësi të barabarta dhe të drejta të plota dhe të garantuara për zhvillimin e karrierës së gjyqtarit, e gjitha kjo duke pasur gjithnjë parasysh faktin se jemi në një fazë të vazhdueshme ndryshimesh të rëndësishme në sistemin gjyqësor të vendit tonë.