Miratohet Rregullorja për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave

Miratohet Rregullorja për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave

Prishtinë, 31 maj 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar takimin e 288-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar edhe pikat e tjera, sipas rendit të ditës.

Anëtarët e Këshillit miratuan Rregulloren Nr. 4/2022 për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave dhe shtojcat e saj.

Gjatë këtij takimi, është aprovuar shpallja e konkursit për pozitat e lira: Administrator të Gjykatës Komerciale, Administrator dhe Zëvendës Administrator të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Administrator të Gjykatës Themelore në Prizren si dhe Zëvendës Administrator të Gjykatës së Apelit. Gjithashtu, KGJK themeloi edhe komisionet për rekrutimin e administratorëve dhe zëvendës administratorëve dhe komisionin për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për administrator dhe zëvendës administrator, si dhe komisionin ad hoc për vlerësimin e performancës së administratorëve të gjykatave të Republikës së Kosovës.

Mes tjerash, u aprovua njoftimi i Njësisë së Burimeve Njerëzore – SKGJK, për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Durmish Berisha.

Në këtë takim, anëtarët autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e këtyre memorandumeve:

  • Memorandumi i bashkëpunimit në mes të Shoqatave të personave me aftësi të kufizuar: 1. Handikos, 2. Shoqatave e të verbërve të Kosovës (SHVK), si dhe Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve (SHKSH);
  • Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Chemonics International Inc;
  • Marrëveshja nën – granti në mes të Administratës së Gjyqësorit të Norvegjisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe
  • Memorandumi i mirëkuptimit në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Avokaturës Shtetërore.

Këshilli miratoi: ndryshimin e planit vjetor të punës së Gjykatës Themelore në Pejë për vitin 2022, GJ.A.nr.93/22 dhe vendimit GJ.A.nr.102/2022, ndryshimin e planit të punës së Gjykatës Themelore Prishtinë për vitin 2022, me numër GJ.A.nr.439/2022 si dhe ndryshimin e planit vjetor të punës së Gjykatës së Apelit për vitin 2022, me numër AGJ.nr.321/2022.

Lidhur me kërkesën e z. Arif Morina për qasje në dokumente publike, anëtarët vlerësuan se kjo nuk është në kompetencë të KGJK-së dhe miratuan vendimin që lidhur me këtë çështje të vendos zyrtari përgjegjës.

Anëtarët e Këshillit miratuan anulimin e konkursit për Certifikimin e Interpretëve dhe Përkthyesve Gjyqësor për Çiftin e Gjuhëve Serbisht – Anglisht dhe Anasjelltas, si dhe rishpallja e tij. KGJK sqaron se aplikacionet e dorëzuara për konkursin e kaluar konsiderohen të vlefshme në këtë rishpallje të konkursit.

Këshilli vazhdoi takimin me shtatë (7) pika të mbyllura për shqyrtimin e:

  • Kërkesës për inicim të procedurës disiplinore për rastin Nr.AD/KGJK/12/2022/GJTHFR-ADGJTHFR.nr.6/22.
  • Njoftimit të kryesuesit të panelit hetimor në rastin disiplinor AD/KGJK/06/2022 – GJA/AD/GJA.nr.02/22.
  • Shqyrtimi i ankesës ndaj vendimit të panelit hetimor në lëndën disiplinore AD/KGJK/06/2022 – GJA/AD/GJA.nr.02/2022, të datës 20 maj 2022.
  • Kërkesës së z. Arben Toska ndaj vendimit të datës 5 maj 2022.
  • Raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor NR.AD/KGJK/05/2022/GJTHM-AD-GHTHM.nr.02/2022.
  • Raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor NR.AD/KGJK/03/2022/GJA-AGJ.nr.52/2022.
  • Raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura dhe marrëveshja e arritur në mes të panelit dhe subjektit të hetimit në rastin disiplinor NR.AD/KGJK/04/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR/46/21.