Miratohet Rregullorja për procedurën e certifikimit, emërimit, kushtet, të drejtat, detyrimet dhe shpërblimin e ekspertëve gjyqësor

Miratohet Rregullorja për procedurën e certifikimit, emërimit, kushtet, të drejtat, detyrimet dhe shpërblimin e ekspertëve gjyqësor

Prishtinë, 31 maj 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar takimin e 288-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar edhe pikat e tjera, sipas rendit të ditës.

Takimi vazhdoi me miratimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, lidhur me Efikasitetin dhe Prioritizimi e lëndëve brenda sistemit gjyqësor së bashku me shtojcat. Qëllimi i përgjithshëm i Planit është rritja e efikasitetit në zgjidhjen e rasteve me fokus të veçantë tek efikasiteti i trajtimit të rasteve të natyrës prioritare sipas ligjit, si dhe rasteve në pritje për më shumë se njëzet e katër (24) muaj, të cilat raste janë në procedurë gjyqësore dhe me të cilat përballen gjykatat e Kosovës. Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj falënderoi projektin e USAID – Projekti i Drejtësisë për kontributin në hartimin e këtij plani.

Anëtarët e Këshillit autorizuan Drejtorin e Përgjithshëm të SKGJK-së, Shkelzen Maliqi, të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave për shpalljen publike të konkursit të jashtëm nr. 02/2022 dhe konkursit të brendshëm nr. 02/2022, sipas planit të punësimit për fazën e dytë.

Në vazhdim të këtij takimi, u miratuan kërkesat për transferimin e përhershëm të katër (4) bashkëpunëtorëve profesional në Gjykatën Themelore në Pejë, Gjykatën Themelore në Prishtinë,  Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Këshilli konfirmoi listën finale për bashkëpunëtorë profesional në gjykatat e Republikës së Kosovës, me ç’rast Kryesuesi Zogaj sqaroi se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka pezulluar procedurën administrative për shqyrtimin e disa ankesave, pra nuk ka pezulluar procesin e rekrutimit të bashkëpunëtorëve profesional. Kryesuesi Zogaj shtoi se ky është një lajm i mirë për sistemin gjyqësor pasi që do të fuqizohen kapacitetet e gjykatave dhe do të hapen rrugët e ndërtimit të karrierës.

“KGJK, në procesin transparent të rekrutimit ka garantuar të drejtën e ankesës për secilin kandidat dhe nuk mund të ketë qasje selektive ndaj asnjë kandidati në asnjë rast. Prandaj i bëjmë thirrje si institucion, të gjithë juristëve që t’i përkushtohen punës dhe i garantojmë të gjithë se vetëm puna e tyre do të jetë garanci e rezultatit të tyre”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj. 

Tutje, Kryesuesi Zogaj sqaroi se rekomandimi i kandidatëve është bazuar në aplikacione të tyre, pra nuk janë rekomanduar kandidatët të cilët nuk kanë aplikuar për gjykatën përkatëse. Prandaj, KGJK njofton se trembëdhjetë (13) pozita kanë mbetur vakante pasi që nuk ka pasur kandidatë të suksesshëm për ato pozita.

Anëtarët e Këshillit miratuan shpalljen e konkursit publik për tetëdhjetë e dy (82) bashkëpunëtorë profesional në gjykatat e Republikës së Kosovës, prej tyre trembëdhjetë (13) pozita janë të rezervuara për komunitetin serb. Me këtë rast, 

Këshilli themeloi komisionin për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional si dhe komisionin për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për bashkëpunëtor profesional.

Gjatë këtij takimi, u miratua Rregullorja Nr. 3/2022 për procedurën e certifikimit, emërimit, kushtet, të drejtat, detyrimet dhe shpërblimin e ekspertëve gjyqësor, me shtojcat, e cila do të ju shërbejë gjyqtarëve në punën e tyre të përditshme. 

KGJK miratoi shpalljen e konkursit për certifikimin dhe emërimin e ekspertëve gjyqësor, me ç’rast themeloi komisionin për vlerësimin e aplikacionit të kandidatit për ekspert gjyqësor si dhe komisionin për shqyrtimin e ankesave të kandidatëve për ekspert gjyqësor.

Takimi i KGJK-së vazhdon me pika të tjera të rendit të ditës në ora 13:00.