KGJK ka vazhduar takimin e 286-të

KGJK ka vazhduar takimin e 286-të

Prishtinë, 5 maj 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar takimin e 286-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar edhe pikat e tjera, sipas rendit të ditës.

Takimi vazhdoi me shpalljen e konkursit të brendshëm për dy (2) pozita të lira për gjyqtar në Gjykatën Supreme, nga këto pozita një (1) pozitë do jetë e rezervuar për komunitetin jo shumicë. Po ashtu, Këshilli themeloi Panelin për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve për ngritje në detyrë si dhe emëroi Komisionin për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për ngritje në detyrë. 

Anëtarët e Këshillit caktuan anëtarët e Komisionit ad hoc për vlerësim e performancës të ish gjyqtarëve mbikëqyrës dhe tani aktual të përzgjedhur sipas metodës Random për vitin 2022.

Po ashtu, anëtarët themeluan grupin punues për draftimin e Planit Strategjik për TIK në kuadër të KGJK-së, për periudhën pesë (5) vjeçare 2023 – 2027.

Këshilli themeloi grupin punues për përgatitjen e rekomandimeve lidhur me çështjet e ngritura në kuadër të procesit të konsolidimit të Sistemit Qendror të Evidencës Penale. Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj tha se Projekti i Evidencës Penale pritet të përfundojë në fund të këtij viti dhe ndërlidhja e Projektit SMIL dhe Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale për funksionimin e certifikatë elektronike do të testohet në dy (2) gjykata pilot, Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Në këtë takim, anëtarët autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Anëtarët e Këshillit aprovuan kërkesën për lirimin e anëtarit Fidan Hoxha, nga trajtimi i lëndëve në Gjykatën Themelore në Prizren, për shkak të angazhimeve të tij si anëtar i KGJK-së dhe anëtar i Komisionit për Çështje Normative në KGJK.

Mes tjerash, Këshilli ka aprovuar Katalogun e pozitave dhe përshkrimit të vendeve të punës për të punësuarit në gjykata, i cili do të publikohet në ueb faqen e KGJK-së. 

Anëtarët e Këshillit, aprovuan propozimin për emërimin e dyzet e nëntë (49) kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat themelore nga Presidentja e Republikës së Kosovës, me ç’rast Kryesuesi Zogaj ka falënderuar Komisionin për Rekrutimin e gjyqtarëve të Gjykatave Themelore për administrimin e gjithë procesit, duke e vlerësuar si një proces profesional dhe transparent të KGJK-së. 

“Shpresojmë që të kemi dekretim të shpejtë të këtyre kandidatëve, pasi që një (1) muaj vonesë në dekretimin e gjithsejtë dyzet e nëntë (49) kandidatëve, ka ndikim deri në 2000 lëndë në sistemin gjyqësor, prandaj është shumë e rëndësishme për KGJK-në”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për diskutim lidhur me propozimin e KGJK-së për kandidatët që nuk janë dekretuar për gjyqtar në gjykata themelore të Republikës së Kosovës si dhe procedurën e këshillimit dhe votimit për lëndën disiplinore Nr.AD/KGJK/01/GJS-GJS-2021-015.