Komiteti Këshilldhënës për Etikë Gjyqësore ka miratuar opinionin e parë

Komiteti Këshilldhënës për Etikë Gjyqësore ka miratuar opinionin e parë

Prishtinë, 14.04.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), me datë 21 janar 2022, ka miratuar Rregulloren Nr.01/2022 për Themelimin e Komitetit Këshilldhënës për Etikë Gjyqësore si dhe ka themeluar këtë Komitet në përbërje prej pesë (5) gjyqtarëve. Ky Komitet ka për qëllim t’i ndihmoj gjyqtarët me inforrnacione dhe këshilla rreth pyetjeve apo çështjeve etike të identifikuara për interpretim, në lidhje me Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtarë dhe Ligjit të Procedurës Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Me datë 13 prill 2022, Komiteti Këshilldhënës për Etikë Gjyqësore me vetë iniciativë, ka dhënë opinionin e parë këshilldhënës për Standardet etike të zbatueshme në rastin e barazisë së palëve, trajtimit të lëndëve gjyqësore sipas prioritetit dhe rradhës së regjistrimit të tyre në gjykatë.

Konkluzionet përfundimitare të këtij opinioni janë:

Gjyqtarët në të gjitha instancat gjyqësore kanë përgjegjësi kushtetuese, ligjore dhe etike, lidhur me respektimin e parimit të barazisë së palëve në procedurë gjyqësore. Përveç kësaj, gjyqtari ka për detyrim që të gjitha palët në procedurë ti trajtojnë në mënyrë të barabartë dhe pa kurrfar diskriminimi. Kjo do të thotë se gjyqtarët duhet ti trajtojnë lëndët sipas radhës dhe kronologjisë kohore të regjistrimit të tyre në gjykatë. Respektimi i këtij parimi, siguron në mënyrë efektive trajtimin e barabartë të palëve në procedurë gjyqësore, përfshirë këtu edhe aspektin kohor të dhënies së drejtësisë së kërkuar.

Gjyqtarët duhet të mos tregojnë qasje selektive dhe trajtim të pabarabartë të palëve, duke trajtuar lëndë të reja para atyre të vjetra, përjashtimisht rasteve kur prioriteti është i caktuar me ligj apo vendim të KGJK-së. Gjyqtarët të cilët veprojnë në këtë mënyrë i shkelin rregullat e Kodit të Etikës Profesionale të gjyqtarëve, ndërsa për këtë duhet të mbahen përgjegjës nga KGJK.

Çdo shmangie me vetëdije apo pa të nga respektimi i këtij parimi, konsiderohet se paraqet shkelje të detyrave ligjore dhe etike të gjyqtarit, ndërsa kjo sjellje e gjyqtarit vlerësohet se është në kundërshtim me nenin 5.2 nën paragrafi 2.2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Nr.06/L-057, si dhe me nenin 3 paragrafi 1 të Kodit të Etikës Profesionale për gjyqtarë.

Opinioni gjendet në këtë link: https://www.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/decisions/73852_KGJK_Opinoni_KKEGJ_Nr_1_2022.pdf