Mbahet takimi i 282-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 282-të i KGJK-së

Prishtinë, 13 prill 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 282-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me miratimin e Raportit të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2021, i cili prezanton aktivitetet e Këshillit, veprimtarinë, të arriturat dhe sfidat me të cilat është përballur Këshilli gjatë vitit.

Këshilli miratoi: ndryshimin e Planit vjetor të punës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për vitin 2022, me numër GJ.A.nr.110/22 dhe ndryshimin e Planit vjetor të punës për vitin 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me numër GJ.A.nr.272/2022 dhe GJ.A.nr.270/2022.

Anëtarët e Këshillit autorizuan Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, të bëjë vlerësimin e performancës për gjyqtarët e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, duke përcaktuar kriteret që duhet të merren parasysh gjatë vlerësimit.

Këshilli aprovoi kërkesën për dorëheqje të gjyqtares në Gjykatën Themelore në Prizren, Ajser Skenderi, nga funksioni i anëtares në Komitetin Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore, duke e zëvendësuar me Snežana Mihajlović, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Gjatë takimit, u emëruan anëtarët në Organin Përzgjedhës të Pavarur, për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar dhe anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP): Rrustem Thaqi, Franciska Zhitija dhe Nikola Petronijević.

Mes tjerash, u aprovua njoftimi i Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGJK, për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Supreme, Jelena Krivokapic.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e ankesës së kandidatit për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/09/2022/GJTHGJL-GJS-2022-006.