Kryesuesi Zogaj, pjesë e punëtorisë për hartimin e reformës në tri fusha të sundimit të ligjit në Kosovë

Kryesuesi Zogaj, pjesë e punëtorisë për hartimin e reformës në tri fusha të sundimit të ligjit në Kosovë

Prizren, 13 prill 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, po merr pjesë në punëtorinë tre ditore të organizuar nga Projekti EUKOJUST, i cili po mbështetë institucionet e drejtësisë në hartimin e Koncept Dokumentit për Kodin e Procedurës Civile, Koncept dokumentit për Gjykatën Administrative dhe të Punës dhe Nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Përfaqësues të institucioneve të larta të sistemit të drejtësisë në Kosovë morën pjesë në ditën e dytë të punëtorisë. Ata paraqitën optimizmin dhe zotimin për të kontribuar në procesin e draftimit të koncept dokumenteve që do të ndihmojnë në procesin e reformimit të segmenteve që kanë ngecuar në funksionim gjer tani. 

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci shprehu kënaqësinë për angazhimin e gjerë të institucioneve në këtë punëtori për një proces të rëndësishëm të reformimit të sistemit të drejtësisë, e sidomos për frymën konstruktive dhe pozitive të punës në punëtori.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, shprehu kënaqësinë që iniciativa e Këshillit, e Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës Supreme po konkretizohet tani me mbështetje të EUKOJUST. 

“Kjo më bën të besoj se rezultatet do të jenë të shpejta dhe të dukshme,” tha Zogaj. Mes tjerash, Zogaj vlerësoi inkuadrimin e gjyqësorit në një përbërje të gjerë dhe kaq vëllimore në një iniciativë të tillë, që mund të jetë hera e parë.