Kryesuesi Zogaj, pjesë e takimit inaugurues të Këshillit për Demokraci e të Drejta të Njeriut

Kryesuesi Zogaj, pjesë e takimit inaugurues të Këshillit për Demokraci e të Drejta të Njeriut

Prishtinë, 12.04.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, mori pjesë në takimin e parë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, pjesë e të cilit janë: Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca si dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror.

Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut është formuar nga presidentja Osmani dhe ka rolin e mekanizmit përgjegjës për udhëheqjen dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve, të cilat janë përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci.

Presidentja Osmani tha se ngjarjet në Evropë e Botë na dëshmojnë se demokracia kurrë nuk është një projekt i përfunduar, përkundrazi demokracia duhet të avancohet e të mbrohet.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se KGJK mbetet e përkushtuar drejt realizimit të të gjitha obligimeve që dalin nga agjenda e Këshillit, me qëllim të luftimit të korrupsionit, mbrojtjes nga autoritarizmi dhe avancimit të të drejtave të njeriut.

Në këtë takim, u krijuan këto grupe punuese: Grupi Punues Kundër Korrupsion, Grupi Punues për Barazi Gjinore, Grupi Punues për të Drejta të Njeriut dhe Grupi Punues për Demokraci, me ç’rast u diskutua edhe lidhur me Planin e Veprimit.