Gjykata Themelore në Prishtinë, fituese e çmimit ‘Gjykata më Transparente’

Gjykata Themelore në Prishtinë, fituese e çmimit ‘Gjykata më Transparente’

Prishtinë, 24 mars 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, mori pjesë në konferencën “Rritja e Transparencës së Gjyqësorit përmes publikimit të aktgjykimeve”, për ndarjen e çmimit “Gjykata më Transparente”, të organizuar nga Lëvizja FOL me mbështetjen e Departamentit të Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).

Në këtë konferencë, u prezantuan të gjeturat lidhur me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës dhe si rezultat, Gjykata Themelore në Prishtinë u shpërblye me çmimin “Gjykata më Transparente”.

Drejtor i INL në Kosovë, Shawn Waddoups, tha se ndjehet shumë i lumtur me këto të gjetura lidhur me rritjen e transparencës në gjyqësor, duke theksuar rritjen e numrit të aktgjykimeve të publikuara.

“Projekti INL do të vazhdojë mbështetjen ndaj sistemit gjyqësor por edhe ndaj shoqërisë civile, me qëllim që të monitorohet dhe të komentohet performanca e sistemit gjyqësor”, tha Waddoups.

Kryesuesi Zogaj, tha se është i jashtëzakonshëm fakti i publikimit të mijëra aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës, mirëpo kjo nuk do të thotë se ky proces duhet të ndalet, pra proces duhet të promovohet nga të gjitha gjykatat dhe KGJK.

“Publikimi i aktgjykimeve është shumë i rëndësishëm, prandaj me këtë rast, falënderoj Projektin INL dhe Lëvizjen FOL për publikimin e këtij raporti, i cili do të ju shërbejë kryetarëve të gjykatave me qëllim që të rritet numri i aktgjykimeve të publikuara dhe të njëjtat të jenë sa më të qasshme për publikun”, tha Zogaj.

Raporti mbi Monitorimin e Publikimit të Aktgjykimeve (janar-dhjetor 2021), përmban të dhënat që rrjedhin nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve në ueb faqen zyrtare të KGJK-së, gjatë kësaj periudhe një vjeçare.

Gjatë vitit 2021, të gjitha gjykatat dhe degët e tyre, kanë publikuar rreth 24,593 aktgjykime, 30 % më shumë se sa vitin 2020. Gjykatat me më së shumti aktgjykime të publikuara janë: Gjykata Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Gjykata Themelore e Prishtinës, duke përfshirë degët e saj, është gjykata me më së shumti aktgjykime të publikuara gjatë periudhës janar – dhjetor 2021, e cila ka publikuar 5,593 aktgjykime, apo 23 % më shumë se në vitin 2020.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, pas pranimit të çmimit tha se është kënaqësi e dyfishtë për faktin se Gjykata Themelore e Prishtinës e fiton këtë çmim për dy vite radhazi.

“Ky çmim, i dedikohet të gjithë punëtorëve, bashkëpunëtorëve dhe punëtorëve të administratës në krye me administratorin e Gjykatës, të cilët krahas punëve të përditshme, me shumë vullnet janë angazhuar me qëllim që kjo Gjykatë të jetë më transparentja në Kosovë”, tha Shabani Rama.

Raporti i publikuar nga Lëvizja FOL