Po vazhdon punëtoria e Këshillit Gjyqësor të Kosovës e organizuar në bashkëpunim me Projektin e USAID për Drejtësi (USAID/ The Justice Activity Program)

Po vazhdon punëtoria e Këshillit Gjyqësor të Kosovës e organizuar në bashkëpunim me Projektin e USAID për Drejtësi      (USAID/ The Justice Activity Program)

Pejë, 3 mars 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në bashkëpunim me programin e USAID-it për Drejtësi, (USAID/The Justice Activity Program), ka organizuar punëtorinë tre ditore e cila po mbahet në Hotel “Dukagjini” Pejë. Në këtë punëtori po marrin pjesë anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave, gjyqtarë të tjerë si dhe përfaqësues të programit. Gjatë kësaj punëtorie po shqyrtohen: Draft Rregullorja për Normën individuale të gjyqtarëve, Strategjia për efikasitetin dhe prioritizimin e lëndëve, Standardizimi i formave të vendimeve dhe fillimi i punës së Komitetit Këshillëdhënës për Etikën gjyqësore.

Me mbështetjen e programit të USAID për Drejtësi (USAID/The Justice Activity Program) është mundësuar edhe takimi online me ekspertin amerikan z.John Ferry, të angazhuar për shqyrtim dhe asistencë në lidhje me finalizimin e Draft Rregullores për Normën individuale të gjyqtarëve përmes të cilës do të përcaktohet norma e punës së gjyqtarëve.

Gjithashtu, është hartuar edhe Strategjia për efikasitetin dhe prioritizimin e lëndëve, si dhe Plani i veprimit për implementimin e kësaj Strategjie. Qëllimi i kësaj strategjie është zhvillimi i një qasjeje praktike, me qëllim të adresimit të çështjes së zvogëlimit përkatësisht zgjidhjes së lëndëve që kanë një afat më të gjatë të pritjes si dhe atyre që përcaktohen për nga natyra si lëndë me prioritet. 

Gjatë punëtorisë janë identifikuar të gjitha llojet e vendimeve procedurale si dhe ka filluar hartimi i formave për këto vendime. Anëtarët e Komitetit Këshillëdhënës për Etikë gjyqësore kanë hartuar planin e punës së tyre dhe në bashkëpunim me programin e USAID për Drejtësi (USAID/The Justice Activity Program), planifikohet të organizohen trajnime specifike për punën e këtij Komiteti si dhe hartimin e manualeve të nevojshme.