KGJK ka pritur në takim përfaqësues nga Projekti EUKOJUST dhe Fondacioni Gjerman IRZ

KGJK ka pritur në takim përfaqësues nga Projekti EUKOJUST dhe Fondacioni Gjerman IRZ

Prishtinë, 02.03.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, priti në takim përfaqësues nga Programi i Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST) dhe Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik (IRZ).

Të pranishëm në këtë takim ishin: Drejtoresha e Projektit nga IRZ, Teresa Thalhammer, Menaxherja e projektit nga IRZ, Trime Ahmeti, Udhëheqësi i ekipit të projektit, Volkmar Theobald, si dhe ekspertët e angazhuar në zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta me KGJK-në.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth zbatimit të projektit EUKOJUST, mbarëvajtja e tij dhe bashkëpunimi i ndërsjellë me KGJK-në.

Kryesuesi Zogaj, vlerësoi mbështetjen e Projektit EUKOJUST për sistemin gjyqësor, me ç’rast ka shprehur vullnet dhe gatishmëri për bashkëpunim në realizimin e objektivave të përbashkëta, me qëllim të reformimit të sistemit të drejtësisë sipas standardeve evropiane dhe atyre ndërkombëtare. Po ashtu, Kryesuesi Zogaj kërkoi nga përfaqësuesit e projektit të kenë një fleksibilitet gjatë zbatimit të aktiviteteve për implementimin dhe përshtatjen më të mirë të nevojave të institucioneve. Nga ana tjetër, Drejtoresha e Projektit nga IRZ, Thalhammer, ri theksoi mbështetjen e Projektit EUKOJUST, me qëllim të ngritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në kuadër të sistemit gjyqësor.