Lansohet Raporti “Vlerësimi krahasues i të dhënave mbi funksionimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (2014 – 2020)”

Lansohet Raporti “Vlerësimi krahasues i të dhënave mbi funksionimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (2014 – 2020)”

Prishtinë, 01.03.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj ka marrë pjesë në lansimin e raportit “Vlerësimi krahasues i të dhënave mbi funksionimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (2014 – 2020)”, i bazuar në metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) për vlerësimin e sistemeve gjyqësore.

Kryesuesi i KGJK-së, Zogaj, ka falënderuar projektin CEPEJ, për kontributin e dhënë në analizën e të dhënave me qëllim të arritjes së standardeve dhe praktikave ndërkombëtare.

‘’Këshilli Gjyqësor i Kosovës, gjatë implementimit të projektit SMIL, ka punuar me standardet e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) për statistikat e avancuara dhe zotohet për implementimin e tërësishëm të këtyre standardeve’’, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

Ky raport është hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me institucionet relevante të drejtësisë: Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Odën e Avokatëve dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas përmes projektit të mbështetur nga Këshilli i Evropës bazuar në metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) për vlerësimin e sistemeve gjyqësore.