Mbahet mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Mbahet mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Prishtinë, 18.02.2022 – Është mbajtur sot takimi i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme.

Kryesuesi i Asamblesë, Enver Peci, nisi takimin me aprovimin për plotësim/ndryshimin e Rregullores Nr.07/2017 për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Si pikë tjetër, u diskutua çështja e parashkrimit të lëndëve, më konkretisht numri i lëndëve të parashkruara gjatë vitit 2021 për të gjitha gjykatat, me ç’rast u aprovua rekomandimi i Asamblesë që KGJK të evidentojë aspektin procedural të parashkrimit të lëndëve.

Gjatë këtij takimi, u aprovua rekomandimi i Asamblesë lidhur me lëndët e shënjestruara që KGJK të ketë vëmendjen e këtyre lëndëve si dhe të ketë një mbikëqyrje më të madhe rreth përfundimit të tyre.

Në Asamble, u diskutuan çështjet të cilat duhet të përfshihen në unifikimin e praktikës gjyqësore për vitin 2022 me ç’rast u diskutua raporti vjetor i Komisionit Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore për vitin 2021 i cili do të ndihmojë gjyqtarët në identifikimin e mangësive në punën e tyre dhe fushat ku ka nevojë për përmirësim.

Anëtarët e Asamblesë diskutuan rreth të gjeturave nga raportet vjetore të gjykatave për vitin 2021 si: procesi i inventarizimit dhe vlerësimit të pasurisë jo financiare për vitin 2021, mungesa e shkëmbimit të të dhënave gjyqësore për shtetasit e huaj që dënohen në Republikën e Kosovës, zbatimi i masave anti-COVID, çështja e parashkrimit të lëndëve, shtyrja e seancave, nevoja e rekrutimit të gjyqtarëve porotë, mungesa e një praktike unike gjyqësore – paqartësitë respektivisht divergjencat në praktikën gjyqësore si dhe të gjetura të tjera. Lidhur me këto të gjetura, Asambleja aprovoi rekomandimin që KGJK t’i adresojë çështjet për të cilat është kompetente.

Anëtarët e Asamblesë diskutuan rreth kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, për rastet kur dënohen shtetasit e huaj që t’i përcillen raportet mbi dënimin sipas procedurave të ligjit dhe marrëveshjeve dypalëshe në fuqi, në mënyrë që të njëjtat të dërgohen tek shtetet, shtetësinë e të cilit e kanë personat e dënuar.

Në vijim të takimit, anëtarët diskutuan lidhur me shndërrimin e stafit teknik të gjykatave në staf profesional, zëvendësimin e shërbimit të sigurimit dhe pastrimit me kompani private dhe pensionimin e parakohshëm të stafit mbështetës mbi moshën gjashtëdhjetë e tre (63) vjeç me ç’rast Asambleja miratoi këto propozime me të gjitha specifikat dhe zotimet gjatë këtij diskutimi.

Kryesuesi Zogaj, u bëri thirrje kryetarëve të gjykatave që të vazhdohet me publikimin e aktgjykimeve në të gjitha gjykatat, sepse rritja e numrit të aktgjykimeve të publikuara tregon se gjykatat janë të përkushtuara dhe po punojnë në drejtim të publikimit të të gjitha aktgjykimeve të plotfuqishme.

Anëtarët e Asamblesë miratuan planet e veprimit për Drejtësinë Procedurale të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe Gjykatës Themelore në Ferizaj, sipas propozimit të Projektit për Drejtësi – Justice Activity/USAID, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve të gjykatave në fjalë,  përmes ofrimit të një përvoje funksionale dhe ndihmuese në gjykatë, si dhe për të zgjeruar aftësinë e gjykatës drejt përafrimit me qytetarët.

Si pikë tjetër, u diskutua çështja e personave të arratisur nga shteti dënues, si kërkesë nga Ministria e Drejtësisë, me ç’rast Kryesuesi Zogaj bëri thirrje që të jemi më konsistent në përmbushjen e obligimeve konform marrëveshjeve për transferimin e personave të dënuar si dhe të pajisen gjykatat me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare lidhur me këtë çështje.

Po ashtu, anëtarët e Asamblesë diskutuan për prononcimin e gjyqtarëve për media dhe komentimin e lëndëve gjyqësore që janë në proces gjyqësor, të cilat veprime janë në kundërshtim me Kodin e Etikes për Gjyqtarë, prandaj Asambleja rekomandoi KGJK-në që të qartësojë Strategjinë e Komunikimit me media dhe Organizatat Jo Qeveritare (OJQ). Kryesuesi Zogaj tha se do të bëhet një vlerësim i të gjitha memorandumeve me media dhe OJQ-të në funksion të transparencës dhe ruajtjes se imazhit të gjyqësorit, prandaj Asambleja rekomandoi KGJK-në që të punohet në drejtim të strategjisë së komunikimit si dhe të ri analizohen të gjitha marrëveshjet me OJQ-të.

Në fund të këtij takimi, u diskutua rreth performancës së gjyqësorit në përgjithësi si dhe u shqyrtua raporti statistikor i gjykatave për vitin 2021, me ç’rast Kryesuesi Peci, në emër të Asamblesë, rekomandoi KGJK-në dhe kryetarët e gjykatave që të informojnë rregullisht lidhur me performancën e gjyqtarëve.