Kryetarët e gjykatave raportuan për vitin 2021

Kryetarët e gjykatave raportuan për vitin 2021

Prishtinë, 27.01.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 276-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj dhe Zëvendës kryesuesit, Qerim Ademaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Fillimisht, Kryesuesi Zogaj i uroi mirëseardhje anëtarit të ri të Këshillit, gjyqtarit Fahret Vellija duke i dëshiruar punë të suksesshme në mandatin e tij si anëtar i KGJK-së.

Gjatë këtij takimi, Kryetari i Gjykatës Supreme, Gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme raportuan për vitin 2021.

Ndërsa, u.d. Kryetari i Gjykatës së Apelit dhe kryetarët e gjykatave themelore, raportuan lidhur me tremujorin e III dhe IV për vitin 2021, si dhe rreth punës së gjykatave përkatëse për vitin 2021.

Në këto raporte të paraqitura nga kryetarët e të gjitha gjykatave, ishin të përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura. Gjatë raportimit, kryetarët  shpalosen përpara anëtarëve të Këshilli, sfidat gjatë punës së tyre dhe kërkesat ishin të ngjashme duke filluar nga numri i vogël i gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve, mungesa e infrastrukturës në gjykata, vonesat në ndërtimin e objekteve të gjykatave, numri i vogël i përkthyesve etj.

Në vitin 2021, Gjykata Supreme ka pranuar në punë, 1582  lëndë, prej tyre 1568  të kryera dhe kanë mbetur në punë 406 lëndë. Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka pranuar në punë, 1644 lëndë, prej tyre 3343 të kryera dhe kanë mbetur në punë 15665 lëndë.

Gjykata Apelit Prishtinë ka pranuar në punë, 20340 lëndë, prej tyre 16087 të kryera dhe kanë mbetur në punë 15064 lëndë.

Gjithsejtë, gjykatat themelore me degë, kanë pranuar në punë 139128 lëndë, prej tyre 91170 të kryera dhe kanë mbetur në punë 193666 lëndë.

Gjykata Themelore Prishtinë me degë, kanë pranuar në punë 51288 lëndë, prej tyre 29038 të kryera dhe kanë mbetur në punë 82950 lëndë.

Gjykata Themelore Gjilan me degë, kanë pranuar në punë 11240 lëndë, prej tyre  të kryera 9592 dhe kanë mbetur në punë 17860 lëndë.

Gjykata Themelore Prizren me degë, kanë pranuar në punë 17067 lëndë, prej tyre 11664  të kryera dhe kanë mbetur në punë 20673 lëndë.

Gjykata Themelore Gjakovë me degë kanë pranuar në punë 13613  lëndë, prej tyre 10020 të kryera dhe kanë mbetur në punë 15588 lëndë.

Gjykata Themelore Pejë me degë, kanë pranuar në punë 14373 lëndë, prej tyre 10079 të kryera dhe kanë mbetur në punë 17715 lëndë.

Gjykata Themelore Ferizaj me degë, kanë pranuar në punë 14835  lëndë, prej tyre 10187 të kryera dhe kanë mbetur në punë 18479 lëndë.

Gjykata Themelore Mitrovicë me degë, kanë pranuar në punë 16712  lëndë, prej tyre 10590 të kryera dhe kanë mbetur në punë 20401 lëndë.

Nga paraqitja e këtyre raporteve u vërejt se gjatë vitit 2021, është shënuar progres duke pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha gjykatat themelore, në Gjykatën e Apelit, në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme si dhe në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Kryesuesi Zogaj dhe Zëvendës kryesuesi Ademaj duke falënderuar të gjithë kryetarët e gjykatave për punën e tyre, kërkuan angazhim dhe përpjekje edhe më të madhe për një performancë më të mirë të punës në të gjitha gjykatat e vendit.

Shpresoj se efektet negative të pandemisë COVID-19 të përfundojnë, meqenëse kapacitetet po shtohen sikur me gjyqtar, ashtu edhe me staf administrativ, prandaj me koordinim, mobilizim dhe mbështetje të plotë nga Këshilli Gjyqësor, do arrijmë t’i kalojmë të gjitha sfidat”, tha Kryesuesi Zogaj.

Raportet statistikore të këtyre gjykatave do t’i publikojmë me një raport të veçantë në ueb faqen e KGJK-së.

Anëtarët e Këshillit miratuan Planet e Punës së gjykatave themelore dhe Gjykatës së Apelit për vitin 2022.

Gjithashtu, në këtë takim është aprovuar ndryshimi i vendimit të KGJK-së nr. 335/2021 për zëvendësimin e një anëtari të Komisionit për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me tre (3) pika të mbyllura për: shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve KVP.nr.030/13/2021, themelimin e Panelit Hetimor në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/02/2022/GJTHFZ-AD.nr.01/2022 dhe shqyrtimin e çështjeve të ngritura në emisionin ‘KallxoPërnime’ të transmetuar në RTV Dukagjini me datë 26.01.2022.

Është themeluar paneli hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/02/2022/GJTHFZ-AD.nr.01/2022 dhe është vendosur për suspendimin e gjyqtarit R.L. deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.