EULEX prezanton Raportin e Monitorimit të Drejtësisë

EULEX prezanton Raportin e Monitorimit të Drejtësisë

Prishtinë, 16 dhjetor 2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka marrë pjesë në prezantimin e Raportit të Monitorimit të Drejtësisë.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) prezantoi Raportin e tij të Monitorimit Sistemik dhe Tematik të Drejtësisë, i cili mbulon periudhën nga marsi 2020 deri në tetor 2021. Raporti përfshin gjetjet e 295 rasteve të monitoruara dhe 378 seancave dëgjimore, si dhe si rekomandime specifike për autoritetet e Kosovës për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se Misioni po përdor një metodologji të veçantë përmes një monitorimi të fuqishëm të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile. “Për shkak të bashkëpunimit dhe mbështetjes nga homologët tanë kosovarë deri më tani, kjo veçori e monitorimit ka funksionuar mirë”, tha Wigemark, duke shtuar: “Rekomandimet që bëjmë në raportin tonë nuk janë të detyrueshme. Ato janë realiste dhe mund të kenë efekt pozitiv në efikasitetin, llogaridhënien dhe integritetin e sundimit të ligjit në Kosovë, me kusht që të ketë vullnet për zbatimin e tyre”.

Kryesuesi Zogaj, falënderoi Misionin EULEX për punën dhe përgatitjen e këtij raporti si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm i cili mbështet sistemin gjyqësor në punën e tij.

“Partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përpjekjet tuaja, qoftë përmes asistencës së ofruar apo përmes raporteve si ky, gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm në iniciativat tona për përmirësimin e disa fushave në gjyqësor. Dëshiroj të theksoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi mbështetjen e partnerëve tanë në rrugëtimin tonë dhe të arrijmë bashkërisht qëllimin për përmirësimin e sistemit gjyqësor të Kosovës” – tha mes tjerash Zogaj.