Kryesuesi i KGJK-së dhe Kryetari i Gjykatës Supreme vizitojnë institucionet e drejtësisë në Strasburg

Kryesuesi i KGJK-së dhe Kryetari i Gjykatës Supreme vizitojnë institucionet e drejtësisë në Strasburg

Strasburg, 13-14 Dhjetor 2021 – Nën organizimin e Këshillit të Evropës, Drejtoria e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut dhe sundimit të Ligjit (DGI), Divizioni i Programeve të Bashkëpunimit, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kanë qëndruar në një vizitë studimore në Strasburg.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të projektit të përbashkët të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian për rritjen e efiçencës së sistemit gjyqësor në Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, pati takime të rëndësishme me përfaqësues të strukturave të Këshillit të Evropës, si përfaqësues nga CEPEJ-ja, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, anëtarë të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë (CCJE) dhe Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Evropianë (CCPE) etj.

Gjatë këtyre dy ditëve u diskutuan tema të ndryshme në lidhje me problematikat e të drejtave të njeriut, veçanërisht me çështjet e sistemit gjyqësor në Kosovë të shqyrtuara nga GJEDNJ-ja si dhe standardet evropiane të administrimit të drejtësisë.

Ndër të tjerash është prezantuar edhe pasqyra mbi bashkëpunimin dhe aktivitetet teknike ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Kosovës.