Mbahet takimi koordinues i KGJK-së me donatorë

Mbahet takimi koordinues i KGJK-së me donatorë

Prishtinë, 24.11.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur sot takim koordinues me donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga gjyqësori i Kosovës, Ambasada e SHBA-së, Ambasada Britanike, Ambasada Mbretërore Norvegjeze, Zyra e BE-së, Këshilli i Evropës, USAID, OSBE, EULEX, UNDP dhe përfaqësues të projekteve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj falënderoi të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme me ç’rast theksoi se pa ndihmën dhe kontributin e tyre zhvillimi dhe avancimi i sistemit gjyqësor do të ishte i pamundur.

“Na duhet edhe më tutje ndihma dhe kontributi i partnerëve tanë prandaj ftoj të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare ta vazhdojnë bashkëpunimin në misionin tonë të përbashkët. Ky takim, besoj se do jetë një mundësi e mirë dhe shpresoj që do shndërrohet në një traditë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta, me qëllim që të realizohen objektivat e gjyqësorit në mënyrë sa më efektive”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

Gjatë këtij takimi, është diskutuar rreth projekteve të cilat kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin gjyqësorin e Kosovës si dhe propozimet ideore të KGJK-së të cilat mes tjerash kanë për qëllim fuqizimin e gjyqësorit, përmirësimin e shërbimeve në gjykata si dhe rritjen e efikasitetit dhe transparencës.

Këto propozime përfshijnë: Ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, Modernizimin e Arkivave të Gjykatave në Gjyqësorin e Kosovës, Arkivimin elektronik të lëndëve/regjistrave të vjetra, Sistemin për Menaxhimin e Financave për KGJK dhe Gjykata, Mbështetjen financiare për angazhimin e praktikantëve në gjykata, Automatizimin e thirrjeve për seancat gjyqësore, Seancat e hapura gjyqësore si dhe Planin Strategjik të KGJK-së për TIK.

Në përfundim të takimit, donatorët dhe partnerët e sistemit gjyqësor diskutuan rreth këtyre projekteve ideore dhe premtuan angazhim në realizimin e aktiviteteve të planifikuara në mbështetje të sistemit gjyqësor të Kosovës.