Mbahet mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Mbahet mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Prishtinë, 12.11.2021 – Është mbajtur sot takimi i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme. Sipas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), takimet e Asamblesë filluan transmetimin live (drejtpërdrejt) në ueb faqen e KGJK-së dhe rrjetin social Facebook.

Gjatë këtij takimi, janë diskutuar pikat sipas rendit të ditës: Shqyrtimi i të gjeturave nga Raporti i Progresit për çështjet e gjyqësorit; Plani i punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës; Shqyrtimi i shkresës nga Dogana e Kosovës; Plani i veprimit për të siguruar kualitetin e të dhënave në SMIL dhe SKQEP; Diskutim lidhur me plotësim/ndryshimin e Rregullores Nr. 07/2017 për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës; Diskutim lidhur me kompensimin e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye; Diskutim për çështjen e kompensimit të grupeve punuese  të themeluara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Diskutim lidhur me çështjen e dorëzimit të ftesave nga shërbimi i gjykatave.

Kryesuesi i Asamblesë, Enver Peci, nisi takimin me diskutimin rreth të gjeturave nga Raporti i Progresit për vitin 2021 për Kosovën, lidhur me çështjet e gjyqësorit të cilat përfshijnë: ndarjen rastësore të lëndëve përmes SMIL, rritjen e kohës së pritjes së lëndëve, reduktimin e lëndëve të vjetra, qëndrimin e gjatë në paraburgim, zbatimin e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë, përmirësimin e kapacitetit të gjyqtarëve për menaxhimin e procedurave gjyqësore në mënyrë efikase, procesin e verifikimit të gjyqtarëve, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, deklarimin e pasurisë, dhuratave dhe konfliktit të interesit nga gjyqtarët, qëndrueshmërinë e përdorimit të SMIL dhe referimin e rasteve për ndërmjetësim.

Lidhur me këto të gjetura, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se shumica ndërlidhen me planet e Këshillit dhe gjykatave për vitin e ardhshëm, prandaj i bëri thirrje Asamblesë për bashkë koordinim me KGJK-në rreth hartimit të Planit të Punës për vitin 2022 me qëllim që gjyqësori të ketë përmirësim sa më të madh nga viti 2022, marr parasysh edhe ndikimin e pandemisë COVID-19 në sistemin gjyqësor.

Si pikë tjetër, u diskutua hartimi i Planit të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës i cili hartohet në pajtim me objektivat strategjike të mbështetura në Strategjinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitet 2020-2022 dhe përfshin aktivitet e të gjitha komisioneve të Këshillit, departamenteve dhe divizioneve të Sekretariatit të KGJK-së si dhe rekomandimet nga Raporti i Progresit për vitin 2021 dhe obligimet që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA II).

Gjatë këtij takimi, u diskutua përkrahja e Këshillit për Doganën e Kosovës lidhur me disa çështje dhe vështirësi në trajtimin e lëndëve në të cilat përfshihet Dogana e Kosovës.

Anëtarët e Asamblesë diskutuan rreth planit të veprimit për të siguruar kualitetin e të dhënave në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) dhe Sistemin Kombëtar Qendror të Evidencës Penale (SKQEP), objektivi i të cilit është të sigurojë vënien e plotë në zbatim të këtyre sistemeve.

Duke pasur parasysh rëndësinë e projektit SMIL, Kryesuesi Zogaj u bëri thirrje stafit të gjykatave, më konkretisht gjyqtarëve të gjykatave për përdorim të plotë dhe intensiv të sistemit SMIL.

Një ndër pikat e diskutimit në Asamble ishte plotësim/ndryshimi i Rregullores Nr. 07/2017 për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës me ç’rast Këshilli ka autorizuar Komisionin për Çështje Normative për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në bazë të propozimeve që do të parashtrohen nga Asambleja.

Sa i përket pikës lidhur me kompensimin e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye për demin material dhe jo material, anëtarët e Asamblesë propozuan që KGJK në mbledhjen e radhës të shqyrtojë mundësinë e rritjes së shumave të kompensimit e pastaj ta autorizoj Komisionin për Çështje Normative që të bëjë plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 04/2015 për Zbatimin e Procedurës së Kompensimit të Dëmit për Personat e Dënuar ose të Arrestuar pa Arsye.

Anëtarët e Asamblesë diskutuan rreth kompensimit të grupeve punuese të themeluara nga KGJK, ku Këshilli ka konsideruar se për qëllim të ekonomizimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, pjesëtarët e grupeve punuese nuk ka nevojë të kompensohen. Kryesuesi Peci, në emër të Asamblesë, propozoi që Këshilli të rishikojë bazën ligjore lidhur me këto kompensime.

Në vijim të takimit, anëtarët diskutuan lidhur me çështjen e dorëzimit të ftesave nga shërbimi i gjykatave dhe shqyrtuan raportin e vlerësimit të gjendjes së shërbimeve të postës dhe shpërndarësit të gjykatave, i cili doli me rekomandime konkrete me qëllim të përmirësimit të këtij procesi.

Asambleja i bëri thirrje Odës së Avokatëve të Kosovës që në bazë të legjislacionit në fuqi, të reflektojë dhe të caktojë avokat sipas detyrës zyrtare për mbrojtjen e të pandehurit në rastin nga i cili është përjashtuar avokati.

Mes tjerash, anëtarët e Asamblesë propozuan që Këshilli të merr vendim lidhur me asgjësimin e lëndëve të kundërvajtjes të cilat po pengojnë procesin e punës në gjykatat e Kosovës.

Në fund të këtij takimi, u diskutua edhe për kushtet e disa nga gjykatat dhe degët e gjykatave, kushtet e të cilave pengojnë zhvillimin e punës në mënyrë serioze. Lidhur me këtë, Kryesuesi Zogaj njoftoi anëtarët e asamblesë se KGJK në një mbledhje të veçantë do të diskutojë për disa nga ndërtesat e sistemit gjyqësor të cilat janë në gjendje alarmante duke përfshirë: Pallatin e Drejtësisë, ndërtesën e pa përfunduar të degës në Novobërdë, ndërtesën e Gjykatës Themelore në Gjakovë, ndërtesën e Gjykatës Themelore në Pejë, vonesat në ndërtimit e objektit të degës në Fushë Kosovë si dhe ndërtimin e objektit në degën në Drenas.