Mbahet takimi i 269-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 269-të i KGJK-së

Prishtinë, 01.11.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 269-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Në këtë takim, z. Garry Ledbetter, Drejtor i Programit të USAID-it për Drejtësi, prezantoi para anëtarëve të KGJK-së objektivat dhe mbështetjen e programit në raport me KGJK-në.  

Kryesuesi Zogaj në emër të KGJK-së, falënderoi z. Ledbetter dhe USAID për mbështetjen e vazhdueshme ndaj KGJK-së dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi, duke theksuar mbështetjen për Rregulloren për Normat dhe Strategjinë e Komunikimit të KGJK-së me shoqërinë civile.

Në vazhdën e vendimeve drejt rritjes së transparencës së Këshillit, anëtarët aprovuan propozimin që takimet e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës të transmetohen drejtpërdrejtë/live në faqe të Këshillit dhe rrjetin social Facebook.

Këshilli, autorizoi Komisionin për Çështje Normative për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores Nr. 07/2017 për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Pas shqyrtimit të raporteve dhe rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, Këshilli emëroi gjyqtaren Ljiljana Stevanovic, Kryetare të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe gjyqtarin Burhan Berisha, Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik, mandati i të cilëve është pesë (5) vjeçar dhe do të fillojë nga data 1 nëntor 2021.

Në vijim, anëtarët shqyrtuan raportin e Panelit për Shqyrtimin e Aplikacioneve, Intervistimin dhe Rekomandimin e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë, me ç’rast vendosën që gjyqtari Nikola Kabasic dhe gjyqtarja Zlatica Vukasionvic të avancohen në pozitën, gjyqtarë në Gjykatën e Apelit – divizioni në Mitrovicë.

Këshilli vendosi për ri shpalljen e konkursit për pozitën gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Novobërdë dhe caktuan Komisionin Vlerësues për Intervistim, Vlerësim dhe Rekomandimin e kandidatëve.

Anëtarët e Këshillit, aprovuan draft Rregulloren nr. 03/2021 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Gjyqtarëve, me ndryshimet e propozuara në përmbajtje.

Këshilli vendosi për shpalljen e konkursit publik për rekrutimin e pesëdhjetë e katër (54) pozitave të gjyqtarëve në nivel të Gjykatave Themelore, prej të cilave tetë (8) pozita të gjyqtarëve nga komuniteti serb, me ç’rast anëtarët themeluan Komisionin për Rekrutim dhe Komisionin për Rishqyrtim.

Takimi vazhdoi me themelimin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së ish Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Skender Çoçaj, gjyqtar në Gjykatën Themelore Prizren.

Anëtarët aprovuan draft Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2021 për Ruajtjen, Transferimin dhe Asgjësimin e Regjistrave dhe Lëndëve Gjyqësore.

Tutje, anëtarët diskutuan rreth Strategjisë së Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit dhe Planit të Veprimit 2021-2023, të aprovuar nga Qeveria e Kosovës dhe qëndrimin e KGJK-së ndaj kësaj Strategjie, me ç’rast Kryesuesi Zogaj, njoftoi se Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbështet propozimin që aktivitetet e përcaktuara në këtë strategji dhe planin e veprimit të inkorporohen në planin e punës të KGJK-së për vitin 2022 dhe vitet në vijim, me përjashtim të aktiviteteve (çështjeve) të cilat Këshilli nuk i pranon.

Këshilli nuk do të merr pjesë në grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë, pasi që konsideron që dërgimi i përgjigjes me shkrim është qëndrim i KGJK-së.

Këshilli shqyrtoi listën e listën e përfaqësuesve të gjyqësorit në grupe punuese dhe caktoi: Burim Ademi – koordinator i KGJK-së për lëndët e shënjestruara, koordinator për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit të Marrëveshjes për Luftimin e Terrorizmit, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Dardan Kadolli – Koordinator për dhunë në familje dhe lirinë e shprehjes. Gjithashtu, Këshilli propozoi anëtarët nga radhët e anëtarëve të KGjK-së, gjyqtarë nga radhët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe gjykatave themelore, për Komisionin Profesional për Vlerësimin e Përmbarimit, si dhe propozoi gjyqtaren, Mejreme Memaj, nga Gjykata Supreme anëtare në Komisionin për Vlerësimin e kandidatëve për Përmbarues Privat.

Gjatë këtij takimi, anëtarët aprovuan vendimet e Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës Themelore në Gjakovë me degë për plotësimin dhe ndryshimin e Planit vjetor të punës për vitin 2021.

Këshilli miratoi nismën për hartimin e Strategjisë për Zvogëlimin e Lëndëve të vjetra, dhe caktoi Kryetarin e Gjykatës Supreme, z. Enver Peci, Koordinator dhe e autorizoi për caktimin e grupit punues për hartimin e kësaj Strategjie.

Po ashtu, Këshilli autorizoi Komisionin për Administrimin e Gjykatave për caktimin e grupit punues për standardizimin e formave të vendimeve procedurale.

Në fund, anëtarët autorizuan Kryesuesin e KGjK-së për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), si dhe Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR-KS).