Mbahet mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Mbahet mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Prishtinë, 17.09.2021 – Nën masat e mbrojtjes nga pandemia COVID-19 dhe përmes video konferencës është mbajtur sot, takimi i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit, Armend Berisha, kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë.

Kryesuesi i Asamblesë, Armend Berisha, takimin e filloi me diskutim rreth ndikimit të pandemisë COVID-19 dhe efektet e saj afatgjata në praktikën e tanishme dhe të ardhshme ligjore, veçanërisht në lidhje me grupet e cenueshme dhe qasjen e tyre në drejtësi. Kryesuesi Berisha tha se edhe pse pandemia po vazhdon, KGJK dhe gjykatat po vazhdojnë të punojnë për zbutjen e problemeve në sistemin gjyqësor të shkaktuara nga pandemia.

Takimi vijoi me diskutimin rreth përfshirjes të të dhënave në sistemin e projektit NCCR, në mënyrë që gjyqësori të ketë një sistem të duhur në dispozicion me të dhëna të plota dhe pa gabime. Kryesuesi Zogaj theksoi se NCCR në Kosovë është një projekt, zbatimi i të cilit është me rëndësi parësore për gjyqësorin e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse.

Anëtarët e Asamblesë diskutuan edhe rreth revokimeve të urdhër arresteve të lëshuara nga gjyqtarët, si kërkesë nga Policia e Kosovës për shkak të vështirësive lidhur me mos revokimet e tyre më pas, e cila po ashtu do të adresohet në marrëveshjen në mes të KGJK-së dhe Policisë se Kosovës.

Sa i përket çështjes së procedurës për lëshimin e letër – rreshtimeve ndërkombëtare në Interpol, anëtarët e Asamblesë u pajtuan që KGJK ti drejtohet Akademisë së Drejtësisë me kërkesë për të mbajtur një trajnim specifik për këtë çështje me gjyqtarët e gjykatave si dhe të kenë bashkë koordinim me Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Si pikë tjetër, u shqyrtua edhe kërkesa nga Instituti i Mjekësisë Ligjore lidhur me urdhëresat për ekspertimit mjekoligjor përmes së cilës kërkohet që çdo urdhëresë t’i drejtohet  institucionit e jo mjekëve ligjor me emër, si dhe urdhëresat të jenë të titulluara për Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jo për Departamentin/Shërbimin Spitalor Universitar.

Anëtarët diskutuan edhe rreth hartimit të planit të punës për lëndët më të vjetra se njëzet e katër (24) muaj, me ç’rast Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj dhe anëtarët e Asamblesë theksuan se Këshilli në bashkëpunim me kryetarët e gjykatave, përmes një grupi punues, do të hartojë një plan veprimi se si të trajtohen këto lëndë dhe si të zvogëlohet numri i tyre.

Anëtarët diskutuan edhe rreth çështjes së garancisë bankare në procedurën përmbarimore e cila i referohet kthimit të garancisë bankare palës ankuese, me rastin e ndërprerjes se përmbarimit pas plotësimit të kushteve ligjore. Kryesuesi i Asamblesë, Armend Berisha, kërkoi nga zyrtarët përgjegjës brenda gjykatave që ta kenë parasysh këtë kërkesë me qëllim që mos të ketë dëme për palë dhe zvarritje të procedurës.

Referimi i rasteve gjyqësore për ndërmjetësim, ishte një ndër pikat e diskutimit në Asamble, gjatë së cilës kryetarët e gjykatave diskutuan mbi gjendjen aktuale në gjykata në këtë drejtim. Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se KGJK dhe kryetarët e gjykatave, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë do të punojnë në promovimin e zgjidhjes së rasteve të ndërmjetësimit dhe vetëdijësimit të qytetarëve.

Me qëllim të zvogëlimit të shpenzimeve, anëtarët e Asamblesë u pajtuan që KGJK të hartojë një udhëzues lidhur me çështjen e shpenzimeve të shërbimeve telefonike dhe shfrytëzimit të veturave zyrtare.

Me propozim të U.D Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Afrim Shala, anëtarët e Asamblesë diskutuan edhe rreth kompletimit të dosjeve të lëndëve nga ana e gjykatave themelore. Me këtë rast, U.D Kryetari Shala, kërkoi nga Kryetarët e Gjykatave Themelore që gjyqtarët dhe stafi i gjykatave të përcjellin me kujdes kompletimin e dosjeve të lëndëve para se të kalojnë në Gjykatën e Apelit.

Në fund të këtij takimi, Kryesuesi i Asamblesë, Armend Berisha kërkoi lirimin nga detyra e Kryesuesit të Asamblesë për shkak të angazhimeve dhe reformës që është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore në Pejë me ç’rast Asambleja miratoi lirimin nga detyra dhe pas procesit të përzgjedhjes, me votim të fshehtë u zgjodh Kryesues i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës , Enver Peci, Kryetar i Gjykatës Supreme.