U mbajt takimi i radhës i Bordit Drejtues të Projektit TIK/SMIL

U mbajt takimi i radhës i Bordit Drejtues të Projektit TIK/SMIL

Prishtinë, 29.07.2021 – Është mbajtur takimi i tridhjetë e katër (34) me radhë i Bordit Drejtues të Projektit TIK/SMIL, ku të pranishëm ishin edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe përmes video-konferencës morën pjesë përfaqësues nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, Këshilli i Evropës në Prishtinë, Ministria e Drejtësisë si dhe ekspertë të huaj dhe vendor.

Në këtë takim, u prezantua Draft Raporti i Progresit të Projektit SMIL për periudhën janar-qershor 2021, i cili edhe u aprovua si dhe të arriturat kryesore të Projektit për këtë periudhë.

Kryesuesi i KGjK-së, njëherit edhe kryetar i Bordit Drejtues të Projektit TIK/SMIL, Albert Zogaj, theksoi se përkundër gjendjes së krijuar me pandeminë, puna në Projektin SMIL nuk është ndalur dhe se gjatë kësaj periudhe kanë përfunduar trajnimet dhe është vënë në zbatim SMIL-i për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme. Po ashtu, është bërë implementimi i fazës së dytë,  gjykatë – prokurori si dhe janë larguar regjistrat manual nga përdorimi në gjykata dhe prokurori ku deri më tani në gjykatat themelore janë vënë në zbatim gjithsejtë  dhjetë (10) libra elektronik. Një e arritur tjetër e rëndësishme për këtë periudhë është edhe nënshkrimi i kontratës së përbashkët ndërmjet KGjK dhe KPK për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e mëtejmë të sistemit SMIL, kontratë kjo e cila ka hyrë në fuqi që nga data 1 maj 2021 dhe do të zgjasë tri (3) vite.