Mbahet takimi i 246-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 246-të i KGJK-së

Prishtinë, 26.01.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 246-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e një (1) gjyqtari në Gjykatën Themelore në Mitrovicë si dhe kërkesën e gjyqtarit të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj, për angazhimin e tij si konsulent i pavarur në projektin e Organizatës Joqeveritare “INJECT”.

Këshilli, shqyrtoi dhe aprovoi kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komoni, që gjyqtarit Mentor Bajraktari nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, t’i mundësohet transferim i përkohshëm në Gjykatën Themelore në Gjakovë, me qëllim që t’i përfundoj lëndët në përfundim e sipër. Në takim, u caktuan anëtarët e Asamblesë së Kryetarëve dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës për vitin 2021, gjyqtarët mbikëqyrës të degëve: Gllogovc, Novobërdë, Suharekë, Malishevë, Klinë, Kaçanik dhe Skenderaj.

Anëtarët e Këshillit miratuan orarin e takimeve të KGjK-së për vitin 2021, përmbajtjen e raportit vjetor të KGjK-së për vitin 2020 si dhe caktuan Koordinatorin e ri për Lëndët e Shënjestruara në Mekanizmin Përcjellës, gjyqtarin Valon Kurtaj. Po ashtu, u aprovua draft Rregullorja për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve e cila përcakton kriteret dhe rregullat lidhur me vlerësimin e performancës së gjyqtarëve si dhe përcakton përbërjen dhe mandatin e Komisionit për Vlerësim të Performancës. Gjatë takimit,

Këshilli mori vendim që Komisioni për Administrim të Gjykatave, të ftoj për intervistë kandidatët për krijimin e Komisioneve për vlerësimin dhe testimin e kandidatëve për interpret dhe përkthyes gjyqësor. Po ashtu, u mor vendim që të shpallet procesi për përzgjedhjen e Zëvendës Kryesuesit të KGjK-së si dhe të shpallen konkurset për zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave themelore në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren.

Këshilli mori vendim për shpalljen e konkurseve për emërimin e 11 gjyqtarëve mbikëqyrës në degët e gjykatave në Lipjan, Suharekë, Dragash, Klinë, Istog, Deçan, Malishevë, Vushtrri, Skenderaj, Rahovec dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Po ashtu, u mor vendim për shpalljen e konkurseve për zgjedhjen e tre (3) anëtarëve të KGjK-së nga radhët e gjyqësorit, dy (2) anëtarë nga Gjykata Supreme dhe një (1) nga Gjykata e Apelit. Për këto konkurse, Këshilli formoi edhe komisionet lidhur me procesin e përzgjedhjes.

Anëtarët e Këshillit diskutuan lidhur me kërkesën e gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, të cilët kanë kërkuar që ata të mos ngarkohen me lëndët e Prokurorisë Speciale. Lidhur me këtë, Kryesuesi Çoçaj mbetet të njoftohet më në detaje nga U.D. Kryetari i kësaj Gjykate. Mes tjerash, u diskutua lidhur me: raportimin e Kryesuesit para anëtarëve të Këshillit për buxhetin e KGjK-së për vitin 2021, raportimin e kryetarëve të gjykatave para Këshillit,

Kryesuesi i Këshillit, autorizoi Komisionin për Buxhet, Financa dhe Personel dhe Komisionin për Administrimin e Gjykatave, që në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit, të përgatisin një raport të përgjithshëm për të rishikuar pozitat në organogram për gjyqtarë dhe staf mbështetës, për të gjitha instancat e gjyqësorit.

Në fund, Këshilli trajtoi një (1) rast disiplinor dhe themeloi një (1) panel hetimor dhe me dyer të mbyllura diskutoi edhe rreth dekretimit të gjyqtarëve të rinj.