Kryesuesi Çoçaj priti në takim lamtumirës përfaqësuesit e Projektit të JSSP

Kryesuesi Çoçaj priti në takim lamtumirës përfaqësuesit e Projektit të JSSP

Prishtinë, 30 tetor 2020 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë (KGjK), Skender Çoçaj, sot ka pritur në takim lamtumirës përfaqësuesit e Projektit të JSSP-USAID të cilët me këtë rast, njoftuan për përfundimin e misionit të tyre pesë vjeçar në Kosovë.

Në takim ishte e pranishme, shefja e Programit për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë, (JSSP), USAID, znj.Pranvera Reçica –Kirkbride si dhe përfaqësuesit e tjerë të projektit.

Kryesuesi Çoçaj shprehu mirënjohjen për angazhimet e vazhdueshme dhe mbështetjen e gjithanshme të ofruar nga USAID dhe në veçanti për projektin e JSSP, për bashkëpunimin dhe kontributin të dhënë për zhvillimin dhe integrimin e sistemit gjyqësor në Kosovë.

‘’Ju falënderojmë dhe i vlerësojmë lartë përkushtimet e projektit në të gjitha proceset, ku bashkëpunimi, përkrahja dhe shkëmbimi i përvojave me ekspertë tuaj, gjatë këtyre viteve ka ndikuar në rezultatet e arritura dhe reformuese për forcimin e sundimit të ligjit në vendin tonë’’, u shpreh kryesuesi Çoçaj.

Znj. Reçica-Kirkbride pasi falënderoi kryesuesin Çoçaj për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe konstruktiv, theksoi se rezultatet e arritura gjatë këtyre pesë viteve të fundit janë rezultat i punës së përbashkët. Ajo më tej shtoi se, mbështetja e USAID-it për sistemin gjyqësor do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Projekti i JSSP, ka dhënë kontribut në zbatimin e reformave në kuadër të sistemit të drejtësisë, hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore, në përmirësimin e efikasitetit të gjyqësorit, përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies, themelimin e departamentit special, zbatimin e Ligjit për Procedure Disiplinore, përmirësimin e mekanizmave të vlerësimit të performances, dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe administrative.