Lansohet ndërlidhja e sistemeve elektronike të prokurorisë dhe gjykatës si dhe shpërndarja automatike e lëndëve

Lansohet ndërlidhja e sistemeve elektronike të prokurorisë  dhe gjykatës si dhe shpërndarja automatike e lëndëve

Prishtinë, 09.03.2020 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, në konferencë të përbashkët nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi në mes të KGjK-së dhe KPK-së për ndërlidhjen e sistemeve të gjykatave dhe prokurorive për shkëmbimin e të dhënave dhe lëndëve si dhe për shpërndarjen automatike të lëndëve te gjyqtarët dhe prokurorët.

Kryesuesi Çoçaj tha se nënshkrimi i marrëveshjeve është një hap i rëndësishëm në avancimin dhe menaxhimin më efektiv të procesit të punës për gjykata dhe prokurori si dhe mundëson shkëmbim të shpejt dhe të saktë të të dhënave.

“Tani më të gjitha lëndët nga prokuroria në gjykatë do të pranohen tërësisht në mënyrë elektronike dhe në këtë mënyrë lëndët e ardhura do të procedohen më shpejt dhe më lehtë përmes sistemit, duke ndikuar kështu drejtpërsëdrejti në ngritjen e cilësisë së punës”, tha Çoçaj.

Kryesuesi Çoçaj deklaroi se në të gjitha Gjykatat Themelore të vendit dhe për të gjitha lëmit, bëhet shpërndarja e lëndëve në mënyrë automatike përmes sistemit të SMIL. Lënda i caktohet gjyqtarit në momentin e pranimit në gjykatë, përmes sistemit SMIL duke eliminuar tërë ndikimin e njeriut. Kjo realizohet përmes kritereve të njëjta dhe të barabarta për të gjithë gjyqtarët të cilat janë përcaktuar paraprakisht. Me këtë rast, në sistemit tonë gjyqësorë kemi arritur një standard të lartë të transparencës dhe efikasitetit në këtë fushë me rëndësi. 

Kryesuesi Hyseni tha se Projekti SMIL ka arritur që me sukses të implementohet në të gjitha prokuroritë e Kosovës dhe përmes kësaj marrëveshje mundësohet qasje më e lehtë dhe e shpejtë në lëndë nga ana e të dy këshillave, duke larguar çdo ndërhyrje manuale nga dora e njeriut.

Ndërsa, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, tha se shteti norvegjez mbetet i përkushtuar për të mbështetur gjyqësorin dhe prokurorinë e Kosovës dhe i cilësoi si mjaft të rëndësishme marrëveshjet e nënshkruara sot.