Anëtar i KGjK-së zgjidhet Qerim Ademaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit

Anëtar i KGjK-së zgjidhet Qerim Ademaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit

Prishtinë, 29.01.2020 – Në organizimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, (KGjK) e në ambientet e Gjykatës së Apelit, gjyqtarët e kësaj Gjykate kanë votuar sot, zgjedhjen e një gjyqtari/e të nominuar për Anëtar/e të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kandidatë të nominuar për anëtar/e të KGjK ishin, Frosina Sylejmani, Qerim Ademaj dhe Vaton Durguti.

Me votim të fshehtë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit zgjidhen kolegun e tyre Qerim Ademaj, anëtar të KGJK-së me shumicë votash në raundin e dytë.

I përzgjedhur nga radhët e Gjykatës së Apelit, gjyqtari Qerim Ademaj, konsiderohet si anëtar i KGjK-së, ndërsa në ditët në vijim certifikimin do ta bëjë KGjK-ja. Mandati i tij si anëtar i KGjK është 5 vjeçar.

Biografia e gjyqtarit Qerim Ademaj

Qerim Ademaj është gjyqtar i Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Civil në Gjykatën e Apelit. Gjyqtari Ademaj ka diplomuar në vitin 2002 në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Ai kreu provimin e jurisprudencës në vitin 2004. Ndërsa, praktiken profesionale e mbajti në Gjykatën Komunale në Pejë, nga viti 2002 deri në vitin 2003. Gjithashtu, ka punuar edhe si avokat në periudhën prej 2003 e deri në vitin 2005.

Prej vitit 2005 deri në vitin 2010 ka punuar si bashkëpunëtor profesional në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë. Në Gjykatën Komunale në Pejë është emëruar si gjyqtar nga viti 2010 ku dhe punoi deri në vitin 2012.

Nga janari i vitit 2013, Ademaj u emërua gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm të  Gjykatës Themelore në Pejë, pozitë të cilën e mbajti deri në shtator të vitit 2015, kur edhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit.