Mbahet tryezë pune për zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Mbahet tryezë pune për zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Prishtinë, 8 nëntor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, së bashku me kryetarët e gjykatave, gjyqtarë – anëtarë të paneleve hetimore dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit, kanë marrë pjesë në një tryezë pune për implementimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilën e ka organizuar Ambasada Amerikane në Prishtinë, me ç’rast morën pjesë edhe Kryesuesi i KPK-së, anëtarët e Këshillit Prokurorial, kryeprokurorët e prokurorive dhe prokurorë – anëtarë të paneleve hetimore.


Qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze të punës ishte diskutimi i interpretimit të dispozitave të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe zbatimi praktik i tij dhe rregulloreve, si dhe shqyrtimi i sfidave kryesore me rastin e disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj, prezantoi një përmbledhje lidhur me zhvillimin e procedurave aktuale disiplinore ndaj gjyqtarëve, me ç’rast theksoi se, Këshilli Gjyqësor ka themeluar panelet hetimore dhe është duke i zhvilluar procedurat disiplinore në përputhje me ligjin në fuqi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, kanë thënë se vlerësimi i praktik i zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë është rezultat i kërkesës së vazhdueshme për ngritjen e performancës së mekanizmave vlerësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në përfundim të kësaj tryeze të punës u kërkua njëzëri që të mbahet edhe një tryezë tjetër e karakterit të tillë, në të cilën do të themelohet një grup i përbashkët për hartimin e udhëzuesit praktik për zbatimin e këtij ligji, në mënyrë që të ketë më shumë qartësi për procedurat për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.