Rritet efikasiteti i punës në gjykatat themelore

Rritet efikasiteti i punës në gjykatat themelore

Prishtinë, 30 maj 2018 – Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nën kryesinë e kryesuesit Nehat Idrizi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës filloi mbledhjen me pikën e përbashkët me Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, vendim i cili ka anuluar zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së Zyrës së Prokurorit Disiplinor (ZPD) me arsyetimin se ka munguar korumi. Të dy Këshillat sot votuan përsëri me njëzet (20) anëtarë të pranishëm, njëmbëdhjetë (11) nga KGjK dhe nëntë (9) nga KPK. Andaj, me shumicë votash përsëri ushtrues detyre i drejtorit të ZPD-së është zgjedhur Arianit Salihu.

Në vazhdim të këtij takimi, shfletuan përpara anëtarëve të Këshillit, raportin e  punës për tre mujorin e parë të vitit 2018 për punën e gjykatave që i drejtojnë, si dhe të degëve të tyre, kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi si dhe kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi. Në raporte ishin të përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura.

Nga paraqitja e këtyre raporteve, u pa se gjatë tre mujorit të parë të këtij viti ka pasur rezultate të mira të punës, rritje të efikasitetit të punës si dhe rritje të transparencës në raport me mediat, shoqërinë civile dhe publikun në këto gjykata dhe në degët e tyre.

Udhëheqësit e këtyre gjykatave diskutuan edhe për sfidat, të arriturat, kërkesat,  por me theks të veçantë kërkuan nga KGjK një vëmendje më të madhe, pasi që kanë vështirësi të vazhdueshme në punë, duke filluar nga infrastruktura, numri i madh i lëndëve, numri i vogël i gjyqtarëve, shkuarja e një numri të madh të gjyqtarëve në pension etj. Kryetarët me këtë rast, falënderuan USAID-in dhe institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i japin sistemit gjyqësor në vendin tonë.

Këshilli, miratoi edhe Planin e Punës së KGJK-së, për vitin 2018. Pastaj  shqyrtoi raportin gjithëpërfshirës të Komisionit për Administrimin e Gjykatave (KAGj) lidhur me zbatimin e Vendimit KGJK.nr358/2017 të datës, 13 dhjetor  2017,  Mbyllja e lëndëve kundërvajtësve të cilat kanë arritur afatin e Parashkrimit, por që janë pjesë e inventarit të lëndëve në pritje.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi Këshilli emëroi gjyqtarët mbikëqyrës për degët, Kamenicë, Novobërdë, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës shqyrtoi edhe disa çështje të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet.