Anëtarët e KGjK-së kanë qëndruar për vizitë zyrtare në Itali

Anëtarët e KGjK-së  kanë qëndruar për vizitë zyrtare në Itali

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) të udhëhequr nga kryesuesi, Nehat Idrizi, gjatë javës së kaluar kanë realizuar një vizitë zyrtare një javore në Këshillin e Lartë Gjyqësor në Itali.

Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave lidhur me organizimin dhe funksionimin e Këshillit Gjyqësor të Italisë. Gjatë kësaj vizite, anëtarët e KGJK-së, zhvilluan takime me përfaqësues të lartë të KGj. Italian dhe diskutuan për shumë tema që lidhen me punën e sistemit gjyqësorë të këtij vendi, si  baza elektronike e të dhënave, procedurat standarde për shqyrtimin e rasteve dhe marrjen e vendimeve, procedurat emërimit të kryetarëve të gjykatave, vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe kriteret, pavarësia  gjyqtarëve dhe prokurorëve italian, roli i Këshillit të Lartë  Gjyqësor në kornizën ligjore të Italisë etj.

Gjithashtu, delegacioni i KGjK-së, mori pjesë në një seancë plenare të Këshillit Gjyqësor Italian.

Gjatë këtij qëndrimi në Itali, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, vizituan edhe Gjykatën Themelore të Romës, Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatën e Kasacionit etj.

Vizita është mundësuar nga Projekti i Binjakëzimit (projekt i financuar nga BE) i cili mbështet Këshillin Gjyqësor të Kosovës.