IDRIZI PRET NJË GRUP STUDENTËSH NGA VJENA

IDRIZI PRET NJË GRUP STUDENTËSH NGA VJENA

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi dhe drejtori i Sekretariatit të KGJK-së Shkëlzen Maliqi sot kanë pritur në takim njëzet studentë nga Universiteti i Vjenës, të prirë nga prof. Marijana Grandits, të cilët po qëndrojnë në vendin tonë në kuadër të një vizite studimore.

Kryesuesi Idrizi, shprehu kënaqësinë që edhe këtë vit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës po pret  studentë të rinj  të cilët studiojnë për të drejtat e njeriut në Universitetin e Vjenës.Idrizi dhe Maliqi, njoftuan studentët e rinj me historikun e sistemit gjyqësor në përgjithësi, dhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës në veçanti, që nga viti 2006.

Ata theksuan rolin dhe  funksionin e KGjK, ndarjen e gjykatave, reformën gjyqësore si një ndër sfidat nëpër të cilat ka kaluar sistemi gjyqësor në vendin tonë.

Në anën tjetër, studentët nga Vjena, me prejardhje nga vende të ndryshme të botës, falënderuan kryesuesin Idrizi dhe shprehën mirënjohje të thellë për pritjen e  ngrohtë dhe përkushtimin ndaj tyre që kanë treguar të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Studentët,po ashtu shtruan pyetje edhe për perceptimin e gjyqësorit në vend, për strukturën e gjykatave, raportet me EULEX-in dhe çështje tjera me interes, për të cilat u informuan nga kryesuesi i KGjK-së. Në Universitetin e Vjenës këta student bëjnë master për të drejtat e njeriut. Ata vijnë që katërmbëdhjetë (14) vite me radhë  në Kosovë.