Në vitin 2016 Gjykatat Përmirësojnë Efikasitetin e Menaxhimit të Lëndëve

Në vitin 2016 Gjykatat Përmirësojnë  Efikasitetin e Menaxhimit  të Lëndëve

Prishtinë, 11 prill 2017 – Gjyqësori i Kosovës ka arritur progres substancial në vitin 2016 duke përmirësuar efikasitetin e punës gjyqësore me zvogëlimin e numrit të lëndëve të pazgjidhura për më shumë se 10%, përkundër një rritjeje prej më shumë se 37,000 të lëndëve të reja, të pranuara gjatë vitit 2015.

Numri i tërësishëm  i lëndëve  është  zvogëluar nga 440.627, që ishte  në fillim të vitit 2016, në 399.031 në fund të vitit, e që është numri më i ulët që nga riorganizimi i gjykatave në fillim të vitit 2013.Në fillim të vitit 2016 kanë qenë  të hapura 440.627 lëndë. Gjatë vitit  gjykatat  kanë pranuar 438.412 lëndë, ndërsa, kanë zgjidhur 479.937 lëndë, që janë 41.535  më shumë se  sa  numri  i lëndëve të pranuara, që do të thotë se gjykatat kanë zgjidhur 9.4% më shumë sesa kanë pranuar lëndë të reja.

Shkalla e gjithmbarshme e pastrimit (proporcioni ndërmjet numrin të lëndëve të zgjidhura ndaj atyre të pranuara) ishte 110.1 %. Shkalla  e pastrimit  për të gjitha  gjykatat themelore ishte afër, ose më lartë se 100%.Shkalla e pastrimit për Gjykatën Themelore të Prishtinës,që është Gjykata më e madhe  në vend, ishte 104.5%.Përfitimet më të mëdha janë arritur përmes zvogëlimit të numrit  të  lëndëve  të kundërvajtjeve, nga 210.983 lëndë  në fillim të vitit, në 189.734  lëndë  në fund të vitit, që do të thotë, zvogëlon numrin prej 21.249 lëndësh. Ndërsa, përmbarime nga 95.479 lëndë në fillim të vitit,në 74.505 lëndë në fund të vitit, një zvogëlim prej  20.974  lëndësh.

Përfitime të rëndësishme janë realizuar edhe në krimet e rënda ku numri i lëndëve është zvogëluar nga 5.593 lëndë në fillim të vitit,në 4.840 në fund të vitit, që paraqet shkallë pastrimit prej 132.5%.Numri i lëndëve civile është ulur,  nga  42.560,me  shkallë pastrimit  prej  113%.

Megjithatë, numri i veprave penale të lehta është rritur me 4.6% nga 38.549,  në 40.329.Kryesuesi i Këshillit Gjyqesor të Kosovës, Nehat Idrizi, është shprehur se, Këshilli Gjyqësor i Kosovës është i kënaqur me  këtë  progres  në  drejtim  të  efikasitetit  të  përmirësuar  në përpunimin  e lëndëve.

Krahas përmirësimit të llogaridhënies dhe transparencës, kjo është njëra nga prioritetet më të rëndësishme të gjyqësorit.KGJK-ja, ka përgjegjësinë e përcaktimit të prioriteteve dhe mbikëqyrjes gjyqësore, kryetaret e gjykatave,në bashkëpunim me  gjyqtaret janë ata që menaxhojnë veprimet  në  gjykata dhe  përballen me sfidat e përditshme  për  t’u siguruar se lëndët  trajtohen  drejtë  dhe  në mënyrë efikase. Gjithashtu, Idrizi ka çmuar përkrahjen e partnereve ndërkombëtarë, përfshirë USAID, EULEX, Këshillin e Evropës etj.”Por, edhe pse ne jemi të kënaqur me  përmirësimet  në vitin 2016, mbetet akoma punë për  t’u  bërë,  sistemi gjyqësor ka  nevojë  të vazhdojë  përmirësimin e efikasitetit, ashtu që lëndët të procedohen më shpejtë dhe njëkohësisht të ruhet edhe cilësia.

Gjykatat Themelore po zhvillojnë planet për përmirësimin e menaxhimit  të  lëndëve në gjykatat përkatëse, ashtu që  të vijojë progresi. Në vitin  2016,  ngarkesa me  lëndë në Gjykatën e Apelit  ka vijuar të rritet dhe ne po punojmë  me  kryetarin e Gjykatës dhe koleget e tij që në vitin 2017, të ketë përmirësim të efikasitetit”- është shprehur Idrizi.

Gjatë vitit  të  kaluar, kryesuesi i KGJK-së dhe koleget e tij kanë  shtuar përpjekjet për të punuar së bashku me kryetaret  e gjykatave themelore  dhe  administratorët e gjykatave për sfidat me të cilat përballen gjykatat si dhe për përmirësimin e performancës.Kryetaret e gjykatave e vlerësojnë se, mbështetja teknike e ofruar nga USAID ka ndikuar dukshëm në përmirësimin  e efikasitetit të punës në gjykata me qëllim të arritjes së një sistemi të drejtë, funksional dhe transparent.