Nehat Idrizi, pjesë e punëtorisë “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë – Nevoja për Vetting”

Nehat Idrizi, pjesë e punëtorisë “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë – Nevoja për Vetting”

Prishtinë, 12 dhjetor 2018 – Në kuadër të Javës kundër Korrupsionit, sot u mbajt punëtoria e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me publikimin e raportit “Analizë e ‘kapjes’ së Policisë, Prokurorisë dhe Gjyqësorit nga politika dhe grupet e interesit në Kosovë” dhe gjetjet e tij.

Në këtë raport, u prezantuan disa nga rastet që janë vlerësuar si më reprezentative në aspektin e dështimeve, që dëshmojnë integritetin e individëve në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë.Sipas IKD-së, është nevojë e domosdoshme që Kosova të fillojë me veprime konkrete drejt procesit të vetingut në Polici, Prokurori dhe Gjykata. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, e ka vlerësuar të rëndësishëm këtë lloj diskutimi pasi që bashkëpunimi mes institucioneve është element kyç, e sidomos në çështjen e luftës kundër korrupsionit.

Kërkohet që vëmendje e veçantë t’i kushtohet inventarit të lëndëve, pasi që viteve të fundit, gjykatat kanë arritur të zvogëlojnë numrin e lëndëve të invenarit.“Ne si KGJK, jemi të vetëdijshëm se vetëm një gjyqësor i pavarur dhe efikas në punë, mund të kthejë besimin e publikut dhe sigurinë juridike. Prandaj, publiku është vlerësuesi dhe matësi më i mirë i integritetit të institucioneve të drejtësisë” tha mes tjerash Idrizi.