Budva, 15 – 16 nëntor 2022 – Zëvendës Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Qerim Ademaj, mori pjesë në konferencën rajonale “Përgjigje më të Efektshme Gjyqësore ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Ballkanin Perëndimor”, pjesë e së cilës përveç Kosovës ishte edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Pjesë e kësaj konference së bashku me Zëvendës Kryesuesin e KGJK-së, ishin edhe gjyqtarë të Departamentit Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Qëllimi i kësaj konference ishte diskutimi në nivel pune mbi problemet e përbashkëta sistematike në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit (KKO), duke përfshirë praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra.
Gjatë konferencës, janë shqyrtuar edhe rekomandimet për adresimin e sfidave të identifikuara. Po ashtu, pjesë e diskutimeve ka qenë edhe efikasiteti i gjykatave në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe pengesat dhe praktikat e shteteve pjesëmarrëse në konferencë në konfiskim të pasurisë, e cila është fituar si shkak i kryerjes së këtyre veprave penale.
Konferenca dy (2) ditore është organizuar dhe është mbështetur nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Kosovë.
Me këtë rast, Zëvendës Kryesuesi Ademaj tha se me iniciativën e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, po nisim një reformë të gjerë e cila për shkak të ndarjes së pushteteve në aspektin e ndërtimit të politikave duhet bërë nga dega ekzekutive dhe ajo legjislative.
“Me këtë nismë, sistemi gjyqësor në Kosovë po dëshmon aftësinë e tij për të ruajtur e mbrojtur pavarësinë e vet dhe për të qenë pjesë e proceseve në të cilat mund të ketë ndonjë efekt apo pasojë mbi këtë pavarësi”, tha mes tjerash Ademaj.