Prishtinë, 26.11.2021 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj ka pritur në takim Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, z. Jens Erik Grøndahl.
Kryesuesi Zogaj falënderoi Ambasadorin Grøndahl për vizitën njëkohësisht për punën dhe kontributin e vazhdueshëm që ka ofruar Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, me theks të veçantë për avancimin dhe forcimin e sistemit gjyqësor në vend.
Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj njoftoi Ambasadorin Grøndahl rreth zhvillimeve të fundit në implementimin e Projektit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL), aktivitetet e përfunduara të këtij projekti si dhe zbatimin e suksesshëm të tij në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Nga ana tjetër, Ambasadori Grøndahl, vlerësoi punën e bërë rreth implementimit të Projektit SMIL si dhe konfirmoi mbështetjen e plotë të Ambasadës Norvegjeze në implementimin e fazës së re të Projektit TIK-SMIL për periudhën 2022-2024.
Duke e vlerësuar lartë gatishmërinë e Ambasadës Norvegjeze, Kryesuesi Zogaj shprehu gatishmëri për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes KGJK-së dhe Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë drejt përmbushjes së objektivave të përbashkëta me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës në sistemin gjyqësor.