KGjK dhe GLPS nënshkruan memorandum të bashkëpunimit

KGjK dhe GLPS nënshkruan memorandum të bashkëpunimit

Prishtinë, 31 Maj 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë nënshkruar memorandum të bashkëpunimit.

Kryesuesi i Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj dhe Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha, nënshkruan sot këtë memorandum të bashkëpunimit, i cili ka për qëllim krijimin e bazës së bashkëpunimit në mes të KGjK-së dhe GLPS-së për zbatimin e Projektit “Monitorimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë”.
KGjK-ja, përmes këtij memorandumi, do t’i mundësojë monitoruesve të GLPS-së përcjelljen dhe monitorimin i mbledhjeve të hapura për publikun të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe në seancat gjyqësore që mbahen në gjykatat në Kosovë, ashtu siç parashihet me ligjin në qasjen për dokumente publike.
Për KGjK-në, ky memorandum ka për qëllim që transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë të bëhen me synimin që të kthehet besimi i plotë i qytetarëve në shtetin ligjor.

Ndërsa, GLSP-ja, do të garantojë që çdo informacion i marrë sipas procedurave të monitorimit të rasteve gjyqësore do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi që përcakton qasjen në dokumente publike, apo në informacione të ndjeshme të karakterit gjyqësor.
Projekti do të përfshijë monitorimin e punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe të të gjitha gjykatave dhe prokurorive në Kosovë.