Prishtinë, 23 janar 2025 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 340-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Para anëtarëve të Këshillit, u raportua lidhur me ecurinë e veprimtarisë së punës së gjykatave për tremujorin e IV-të (tetor – dhjetor) për vitin 2024, si dhe punën e gjykatave në përgjithësi gjatë vitit 2024.
Në këto raporte, ishin të përfshira të dhënat për numrin e përgjithshëm të lëndëve, siç janë numri i lëndëve të pranuara, numri i lëndëve të kryera dhe atyre që janë duke u trajtuar nga gjykatat. Po ashtu, është prezantuar lidhur me publikimin e vendimeve gjyqësore, zbatimin e mendimeve juridike të Gjykatës Supreme, zbatimin e Planeve Strategjike të KGJK-së, masat që janë paraparë për realizimin e objektivave për vitin 2024, planifikimin për kualitetin e të dhënave në Sistemin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve si dhe mbikëqyrjen e administratës.
Raportin për tremujorin e IV-të (tetor – dhjetor) për vitin 2024 si dhe Raportin për punën e gjykatave gjatë vitit 2024, e kanë paraqitur:
- Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës;
- U.D Gjyqtarit Mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës;
- Kryetari i Gjykatës së Apelit;
- Kryetari i Gjykatës Komerciale;
- Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë;
- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan;
- Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren;
- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë;
- Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë;
- Nën Kryetarja e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe
- U.D Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Pas raportimit lidhur me punën e gjykatave për këtë periudhë, të gjitha raportet e punës për vitin 2024 u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.
Raportin për punën e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës së Apelit dhe Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për vitin 2024, e kanë paraqitur Udhëheqësit e këtyre departamenteve.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj falënderoi kryetarët për raportimet lidhur me punën e gjykatave si dhe u bëri thirrje për angazhim me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies në punën e gjykatave, duke zbatuar planet strategjike të KGJK-së, si dhe përmbushur obligimet që dalin nga planet e punës.