Prishtinë, 21 janar 2025 – Komisioni i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), i kryesuar nga Drita Rexhaj dhe dy anëtarët, gjyqtari Fidan Hoxha dhe Artan Abazi, ka mbajtur procesin për zgjedhjen e kandidatëve të vet nominuar për anëtar të Këshillit nga radha e Gjykatës së Apelit dhe Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale.
Në bazë të kompetencave ligjore, nga radha e Gjykatës së Apelit dhe Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, të drejtën për t’u kandiduar për anëtar të KGJK-së e kanë shfrytëzuar gjyqtari Besnik Bislimaj dhe Vaton Derguti. Kandidati për anëtarë të Këshillit, gjyqtari Arsim Hamzaj ka njoftuar se është tërhequr nga gara për anëtarë të Këshillit dhe procesi i votimit ka vazhduar me dy gjyqtarët e tjerë.
Me të drejtë vote ishin pesëdhjetë e shtatë (57), ndërsa morën pjesë pesëdhjetë e gjashtë (56). Pas procesit të votimit, Komisioni i themeluar nga KGJK konstatoi se nga ky votim, gjyqtari Besnik Bislimaj ka marrë 31 vota, ndërkaq gjyqtari Vaton Derguti 23 vota dhe dy (2) vota ishin të pavlefshme
Komisioni do të njoftojë Këshillin Gjyqësor se nga ky proces i votimit, gjyqtari që ka marrë më së shumti vota është Besnik Bislimaj.
Procesi zgjedhor është zhvilluar pas përfundimit të mandatit të anëtarit të KGJK-së nga radhët e Gjykatës së Apelit, gjyqtarit Qerim Ademaj.
Si proces transparent, zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të KGJK-së, është monitoruar nga EULEX dhe IKD, kështu që, Këshilli përsëri fton të gjitha organizatat e interesuara që të monitorojnë këtë proces zgjedhor deri në përfundim.