Prezantohen projektet dhe iniciativat e gjyqësorit

Prezantohen projektet dhe iniciativat e gjyqësorit

Dita e III-të e Ditëve të Gjyqësorit

Reforma në Administratën Gjyqësore dhe Ngritja e Kapaciteteve Profesionale

Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fahret Vellija dhe anëtari i Komisionit për Trajnime, Vilard Bytyqi, prezantuan reformat në administratën gjyqësore, duke theksuar rëndësinë e planifikimit dhe shfrytëzimin e kapaciteteve, vlerësimin e performancës dhe disiplinës në administratë, si dhe investimin e ngritjes së kapaciteteve profesionale në sistemin gjyqësor.

Sistemet Elektronike dhe Kualiteti i të Dhënave

Udhëheqësja e Departamentit të Evidencës Qendrore Penale, Valentina Shabani, diskutoi rolin e teknologjisë në përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe rëndësinë e sistemeve elektronike për rritjen e besueshmërisë tek qytetarët, duke ofruar shërbime elektronike të avancuara. Me theks të veçantë, ajo foli për mundësitë e zhvillimit të sistemeve elektronike për të rritur efikasitetin në punë dhe cilësinë e të dhënave.

Qëndrueshmëria, Siguria Kibernetike dhe Avancimi i Sistemeve Digjitale

Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informative, Fatmir Rexhepi, prezantoi të dhëna të rëndësishme për sistemet kryesore që kemi në përdorim, si: SMIL, SQEP, Audio dhe Video sistemet për sallat e gjykimeve etj. Prezantimi ishte i fokusuar në çështjet me rëndësi për të siguruar qëndrueshmërinë në afat të gjatë për të mirëmbajtur dhe avancuar sistemet në vazhdimësi, si dhe masat që duhet të merren për të rritur sigurinë kibernetike në sistemin gjyqësor.

Fuqizimi i Mekanizmave të Monitorimit dhe Inspektimit Gjyqësor

Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, u fokusua në fuqizimin e mekanizmave të monitorimit dhe inspektimit gjyqësor, duke adresuar objektivat që kanë për qëllim rritjen e produktivitetit dhe efikasitetit në trajtimin e lëndëve, forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit në trajtimin e numrit të madh të lëndëve që hyjnë në kuadrin e lëndëve me prioritet të lartë, sigurimin e procedurës së drejtë gjyqësore, si dhe përcaktimi i kritereve të prioritizimit të natyrës së caktuar të lëndëve.Nga ana tjetër, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë të cilët janë kontribut dhënës në realizimin e objektivave të KGJK-së, premtuan angazhim në realizimin e aktiviteteve të planifikuara në mbështetje të sistemit gjyqësor të Kosovës.