Dita e III-të e Gjyqësorit: Hapa drejt një sistemi gjyqësor modern dhe transparent

Dita e III-të e Gjyqësorit: Hapa drejt një sistemi gjyqësor modern dhe transparent

Në ditën e III-të, të “Ditëve të Gjyqësorit”, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, vuri theksin në rëndësinë e koordinimit të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës me institucionet tjera, për zbatimin e drejtësisë në mënyrë të unifikuar dhe transparente. Gjithashtu, bëri thirrje për përmirësimin e mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke e cilësuar atë si faktor kyç për të adresuar sfidat dhe për të siguruar qasje më të mirë në drejtësi për të gjithë qytetarët.

Kryetarja e Komisionit për Çështje Normative, Drita Rexhaj tha se hartimi i rregulloreve dhe politikave të qarta garantojnë një administrim të drejtë, efikas dhe transparent të gjyqësorit. Kryetarja Rexhaj, theksoi nevojën për një qasje të vazhdueshme bashkëpunuese midis komisionit, institucioneve vendore, shoqëritë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe të gjitha grupeve tjera të interesit, për të siguruar, se normat dhe praktikat janë në përputhje me standardet më të larta juridike dhe etike.

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkëlzen Maliqi, diskutoi lidhur me administratën gjyqësore, infrastrukturën, buxhetin, sfidat dhe përparësitë, me ç’rast theksoi rëndësinë e një administrate të modernizuar për të siguruar funksionimin e suksesshëm të sistemit gjyqësor. Drejtori Maliqi, foli edhe për sfidat që lidhen me burimet e kufizuara buxhetore dhe theksoi nevojën për një menaxhim efikas të buxhetit, investimeve të vazhdueshme me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës gjyqësore, duke kërkuar angazhim për avancimin e administratës që ofron shërbime më të shpejta dhe më efikase për të gjithë.

Udhëheqësja e Zyrës së Integrimeve Evropiane, Arlinda Krasniqi, duke folur për rolin kyç të partnerëve ndërkombëtarë në avancimin e proceseve integruese dhe forcimin e institucioneve të Kosovës, potencoi mbështetjen e vazhdueshme të donatorëve për projektet që synojnë rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor, zhvillimin e kapaciteteve dhe implementimin e reformave si dhe bashkëpunimin e ngushtë të këtyre partnerëve të cilët kanë mundësuar realizimin e shumë nismave të suksesshme që kontribuon në përgatitjen e Kosovës për t’u integruar plotësisht në strukturat evropiane.