Prishtinë, 10 dhjetor 2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj, mori pjesë në Konferencën me temën: ‘’Të Drejtat e Njeriut në Epokën e Inteligjencës Artificiale‘’.
Qëllimi i konferencës është që të ofrojë një platformë gjithëpërfshirëse për të diskutuar ndikimin e zhvillimeve të Inteligjencës Artificiale (AI) në vend dhe nevojën për të balancuar këto përparime teknologjike me mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë mbrojtjen e të dhënave personale. Në kuadër të konferencës, ekspertë të fushës kanë ndarë mendimet tyre mbi mundësitë dhe rreziqet që sjell inteligjenca artificiale për të drejtat tona dixhitale.
Kryesuesi Zogaj, tha se KGJK, ka shprehur interesim për integrimin e AI në proceset gjyqësore, si një mjet që mund të përmirësojë efikasitetin dhe saktësinë e procesit gjyqësor, si dhe të ndihmojë në menaxhimin e rasteve dhe analizën e fakteve. ‘’Rreziqet e paragjykimit algoritmik dhe mundësia për minimin e drejtësisë dhe të barazisë para ligjit kërkojnë një mbikëqyrje të kujdesshme dhe një kuadër të fortë etiko-ligjor, i cili garanton që përdorimi i AI të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe të barabartë për të gjithë qytetarët‘’, u shpreh Zogaj
Kjo konferencë është organizuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi në bashkëpunim me Institutin për Teknologji dhe Shoqëri (ITS), si pjesë e projektit HumanRightivism, zbatuar nga Community Development Fund (CDF) me mbështetje të Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.