Publikimi i përmbledhjeve të Gjykatës Supreme dhe rritja e cilësisë së vendimmarrjes, ishte tema e radhës që u diskutua nga nënkryetarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, nënkryetarja e Gjykatës Supreme, Kadrije Goga Lubishtani, gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Afërdita Bytyqi dhe gjyqtari i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valon Kurtaj, si dhe çështje të tjera që lidhen me cilësinë e vendimmarrjes në nivel të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë. Mes tjerash, panelistët diskutuan praktikat e ndjekura me planet e punës dhe çështje të cilat ndikojnë në përmbushjen e rekomandimeve të raportit të vendit mbi cilësinë e vendimmarrjes në rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe të tjera.
Në fund, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, prezantoi konkluzionet e dalura nga dita e II-të e “Ditëve të Gjyqësorit”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes gjyqtarëve dhe akterëve të tjerë të drejtësisë për të adresuar sfidat aktuale dhe për të avancuar reformat që ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e sistemit gjyqësor.
Përkushtimi i të gjitha strukturave gjyqësore u vlerësua si vendimtar për arritjen e objektivave afatgjata dhe forcimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.