Paneli i gjyqtarëve i kryesuar nga gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, i përbërë nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri diskutuan lidhur me reformat, sfidat dhe prioritetet për të ardhmen drejt avancimit të sistemit gjyqësor.
Diskutimi përfshiu sfidat që lidhen me organizimin e Departamentit për Krime të Rënda për vitin e ardhshëm, duke theksuar rritjen e kapaciteteve strukturore dhe përmirësimin e funksionimit të tij. Një tjetër temë diskutimi ishte administrimi elektronik i gjyqësorit, përfshirë zhvillimin dhe avancimin e sistemeve aktuale në gjyqësor. Mes tjerash, panelistët diskutuan veprimet e ndërmarra nga gjykatat për të përmirësuar llogaridhënien dhe efikasitetin e administratës gjyqësore si dhe monitorimin e planeve strategjike të KGJK-së, duke vlerësuar rolin e Komisionit të Monitorimit dhe rezultatet e arritura deri më tani drejt përmbushjes së objektivave të përcaktuara në Raportin e Progresit të Kosovës.
Ndërsa, Shefi i Shtyllës së Monitorimit nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Galzignato diskutoi rreth Raportit të monitorimit të drejtësisë të EULEX, i cili vlerëson zbatimin e rekomandimeve konkrete që kanë qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përputhshmërinë me të drejtat e njeriut. Galzignato theksoi rolin mbështetës të EULEX-it për të ndihmuar në adresimin e sfidave dhe promovimin e një drejtësie më efikase dhe të barabartë për të gjithë.