Diskutohen të arriturat dhe sfidat e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve

Diskutohen të arriturat dhe sfidat e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve

Durrës, 25 – 27 nëntor 2024 – Komisioni për Vlerësimin e Performancës së
Gjyqtarëve, i udhëhequr nga kryetarja e komisionit, gjyqtarja Teuta Ibrahimi, ka
organizuar një punëtori treditore, në të cilën po diskutohen çështjet që lidhen me punën, të arriturat dhe sfidat e komisionit për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve.

Gjatë këtij takimi, është bërë e ditur se përmes vlerësimit të performancës, KGJK synon ngritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor në përgjithësi dhe gjyqtarëve në veçanti, duke krijuar mekanizma që sigurojnë një sistem transparent dhe llogaridhënës. Vlerësimi individual i gjyqtarëve ndihmon në ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe ngritjes së nivelit të cilësisë dhe efikasitetit në sistemin gjyqësor. Komisioni gjatë vitit 2024, ka kryer këto vlerësime: Vlerësimin për 74 gjyqtarë të përzgjedhur sipas metodës ‘Random’ dhe ngritjes në detyrë, 13 gjyqtarë mbikëqyrës, 29 gjyqtarë me mandat fillestar. Gjithashtu, gjatë muajit nëntor Komisioni ka shqyrtuar dhe aprovuar tetë (8) raporte të vlerësimit të performancës për gjyqtarë të cilët kanë alikuar për ngritje në detyrë dhe gjyqtarë të përzgjedhur nga lista Random, dhe po ashtu ka shqyrtuar dhe ka vendosur për shtatë (7) kundërshtime.

Pavarësisht rezultateve, sfidë për KVPGJ mbetet mungesa e anëtarëve të komisionit, por Këshilli është duke punuar për forcimin e mekanizmave të brendshëm të KGJK-së dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi.

Në këtë punëtori përveç anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, po marrin pjesë: anëtarë të KGJK-së, përfaqësues nga Sekretariati i KGJK-së, si dhe përfaqësues nga Njësia për Inspektim Gjyqësor.